Google ADS

Sovraniteti i Bosnje e Hercegovinës në teh

17:14 | 3 Qershor 2024
E.G

Për disa është “retorikë boshe” dhe “asgjë e re”, por për udhëheqësin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, është koha që mes këtij entiteti dhe Federatës së Bosnje e Hercegovinës “të caktohet kufiri”.

Shkak për këtë, sipas tij, është bërë rezoluta me të cilën Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka njohur si gjenocid vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë nga forcat serbe të Bosnjës, më 1995.

Për Dodikun, i cili e mohon gjenocidin në Srebrenicë, “dëmi që ka shkaktuar kjo rezolutë nuk mund të zhbëhet” dhe dy entitetet tani “duhet të bëjnë përpjekje të jenë fqinj të mirë dhe të ndahen në paqe”. Bosnje e Hercegovinës “i ka ardhur fundi”, sipas tij.

Qeveria e entitetit serb, me në krye Radovan Vishkoviqin, ka paralajmëruar edhe disa hapa konkretë, në ditën kur ka kaluar rezoluta më 23 maj.

“Qeveria e Republikës Sërpska, në 30 ditët e ardhshme, do të hartojë një marrëveshje, të cilën do t’ua ofrojë kolegëve tanë në entitetin tjetër, për ndarjen paqësore të Bosnje e Hercegovinës”, ka thënë Vishkoviq.

Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.

Megjithatë, paqja nuk është se i ka përafruar komunitetet shumicë: boshnjakët, kroatët e serbët. Dodik ka ngritur shpesh mundësinë e ndarjes nga ai që vetë e cilëson si “shtet të dështuar”. Këtë e ka bërë përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme të SHBA-së se do të ndërhyjë, për të parandaluar një skenar të tillë.

Po, a mund të ekzistojë Republika Sërpska vërtet si shtet më vete? Për ambasadorin amerikan në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy – jo.

“Ndarja ose shkëputja nuk do të thotë pavarësi e Republikës Sërpska ose fund i Bosnje e Hercegovinës. Do të thotë fund i Republikës Sërpska”, sipas tij.

James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, thotë për programin Expose se retorika e Dodikut shkakton efekt tejet destabilizues në Bosnje e Hercegovinë, por se është boshe.

Sipas tij, Republika Sërpska nuk mund të bëhet e pavarur për një varg arsyesh, por “e para dhe kryesorja është se bashkësia ndërkombëtare u reziston shumë ndarjeve të njëanshme” dhe, rrjedhimisht, do të kishte pasoja të papërballueshme.

“Shkëputja do të ishte jashtëzakonisht e vështirë. Do të kishte ndikim të madh dhe të menjëhershëm në Republikën Sërpska. Do të kufizoheshin të gjitha kontaktet me të, do të mbylleshin kufijtë, Serbisë do t’i kërkohej që të mos e mbështeste, sepse do të rrezikonte anëtarësimin në BE… Unë mendoj se do të kolapsonte relativisht shpejt”, thotë Ker-Lindsay.

Si dëshmi tjetër se sa të vështirë do ta kishte, ai përmend edhe rastin e Kosovës.

“Edhe 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës – me gjithë mbështetjen e SHBA-së, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë – ajo vazhdon të njihet vetëm nga gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Kështu që mund të imagjinoni, nëse Republika Sërpska ndahet, sa pak njohje do të kishte”, thotë Ker-Lindsay.

Ai shpreh bindjen se edhe njohja eventuale nga Rusia – aleate e Republikës Sërpska – nuk do të përbënte ndonjë ndryshim në favor të sajin. Si shembull ai merr rastin e dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë – Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Rusia ka vite që i ka njohur ato, por, ndërkohë, ka arritur t’i bindë vetëm edhe katër shtete të tjera që ta bëjnë të njëjtën.

Adnan Qerimagiq, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se përveç faktorëve politikë, janë edhe ata ekonomikë që do ta fusnin Republikën Sërpska në “kaos total”, në rast se do të ndahej.

“… sepse ekonomia e Republikës Sërpska varet jo vetëm nga vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor, por edhe nga Bashkimi Evropian, me të cilin Bosnje e Hercegovina ka marrëveshje stabilizim asociimi, dhe e cila është bazë për kontratat tregtare. Pastaj, varësia e qytetarëve të Republikës Sërpska nga remitencat që dërgon diaspora, është enorme. Të gjitha këto do të viheshin në pikëpyetje nëse do të shpartalloheshin institucionet e nivelit qendror”, thotë Qerimagiq.

Republika Sërpska, ashtu si edhe pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës, klasifikohet si ekonomi me të ardhura të mesme të larta nga Kombet e Bashkuara. Sipas Institutit të Statistikave në këtë rajon, paga mesatare neto në prill të këtij viti ka arritur në 1.400 marka të konvertueshme, apo pak më shumë se 700 euro. Borxhi publik është në rritje, ndërsa popullsia në tkurrje.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë, që është bërë në vitin 2013, Bosnje e Hercegovina i ka pasur 3.5 milionë banorë, prej tyre mbi 1 milion në Republikën Sërpska. Por, sipas një analize që ka bërë Instituti i Vjenës për Demografi, nga viti 1990 deri më 2017, popullsia e Bosnjës është tkurrur për 22 për qind, kryesisht për shkak të emigrimit. Papunësia në mesin e të rinjve i kalon 36 për qind, ndërsa shkalla e fertilitetit është një nga më të ulëtat në Evropë.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në muajin mars se nuk beson se Republika Sërpska ka fuqi të ndahet nga Bosnja.

“Ndonëse kërcënimet e Dodikut shkaktojnë dëm, unë nuk mendoj që një entitet i varfër me 750.000 njerëz, me borxhe në rritje, ka kapacitet ta sfidojë NATO-n apo ta shpallë pavarësinë, dhe të jetë i qëndrueshëm”, ka thënë Escobar.

Reagimi i Dodikut pas kësaj deklarate ka qenë i menjëhershëm dhe në një postim në rrjetin X ka thënë se “Republika Sërpska ka fuqi dhe mund të funksionojë edhe nën presione serioze tinëzare”. Këto presione, sipas tij, i bën pikërisht Escobari dhe “struktura e tij në Bosnje, e udhëhequr nga ambasadori amerikan, Michael Murphy”.

Qerimagiq, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, beson se Dodik, tash për tash, është vetëm “duke testuar terrenin”, përkatësisht “duke bërë një hap para dhe një gjysmë hapi prapa”.

Në këtë frymë, thotë ai, ka qenë edhe vendimi i Dodikut, më 29 maj, për të tërhequr ligjin për “agjentët e huaj”, i cili është përshkruar si “shtypës dhe jodemokratik” nga Shtetet e Bashkuara.

“Ai po shikon se sa larg mund të shkojë. Ka qenë i qartë kur ka thënë se është duke pritur për rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, ashtu si edhe për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, dhe, potencialisht, ta përshkallëzojë situatën edhe më shumë”, thotë Qerimagiq.

Dodik, në disa paraqitje publike, ka shprehur mbështetje për rikthimin e Donald Trumpit në krye të SHBA-së, pas zgjedhjeve të nëntorit atje. Sipas Dodikut, Trump nuk do të hezitonte ta shpallte pavarësinë e Republikës Sërpska.

Dodik është i afërt edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilin e ka takuar katër herë prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022, dhe e ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Republikës Sërpska”.

Në muajin prill, Dodik ia ka dhënë këtë medalje edhe kryeministrit nacionalist të Hungarisë, Viktor Orban, i cili shpesh shpreh qëndrime anti-BE dhe proruse.

Hungaria, përndryshe, ka qenë vendi i vetëm i BE-së që ka votuar kundër rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Sipas Qerimagiqit, komuniteti ndërkombëtar ka mandat për ta mbrojtur paqen në Bosnje e Hercegovinë.

“Ajo që mund të bëjë Perëndimi, është t’i vendosë vijat e kuqe mbi mbështetjen e jashtme që merr Millorad Dodiku, sidomos nga Budapesti dhe Beogradi. BE-ja dhe NATO-ja duhet t’ia bëjnë të qartë Banja Llukës se as Budapesti e as Beogradi nuk do të jenë në gjendje t’i mbështesin hapat destabilizues që mund të merren”, thotë Qerimagiq.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ka thënë në disa raste se atë e kërcënon retorika nxitëse e zyrtarëve të Republikës Sërpska.

Dodik është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania pikërisht për përpjekjet e tij për të minuar këtë marrëveshje.

Pas paralajmërimeve të fundit që ka bërë, BE-ja ka thënë se nuk do të tolerojë sjellje që e rrezikojnë sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

BE-ja ka forcën paqeruajtëse në Bosnje e Hercegovinë, EUFOR, të cilës NATO-ja i ofron mbështetje.

Analistët thonë se retorika për ndarjen e Bosnje e Hercegovinës mund të mos jetë e re dhe serioze, por druajnë se zhvillimet e tjera gjeopolitike – nga lufta në Ukrainë deri tek ajo në Gazë – mund të mos e mbajnë Perëndimin mjaftueshëm të përqendruar në Ballkan. Strategjia e “karotës dhe shkopit”, sipas tyre, është e nevojshme më shumë se kurrë./REL/

Të ngjashme