Google ADS

Izraeli: Armëpushimi në Gaza i pamundur

22:22 | 1 Qershor 2024
R J

Kryeministri i Izraelit tha të shtunën se një një armëpushim i përhershëm në Gazë është i pamundur, pa u plotësuar kushtet e vendosura për përfundimin e luftës, një qëndrim që duket se minon një propozim që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden e njoftoi një ditë më parë si propozim izraelit.

Deklarata nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu erdhi një ditë pasi Presidenti Biden dha hollësi mbi planin dhe ndërsa familjet e pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi u bënë thirrje të gjitha palëve që të pranojnë menjëherë propozimin.

“Kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës nuk kanë ndryshuar: shkatërrimi i kapaciteteve qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit, lirimi i të gjitha pengjeve dhe garancia se Gaza nuk do të përbëjë kurrë më kërcënim për Izraelin”, thuhej në deklaratë.

“Izraeli do të vazhdojë të ngulë këmbë që këto kushte të plotësohen, para se të zbatohet armëpushimi i përhershëm”, theksohet më tej në deklaratë.

Presidenti Biden u shpreh të premten se Hamasi “nuk ka më kapacitete” për të kryer një sulm tjetër në shkallë të gjerë ndaj Izraelit, si ai i tetorit, që shkaktoi luftën.

Ai i bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit të arrijnë një marrëveshje për lirimin e rreth 100 pengjeve të mbetura, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve, si pjesë e një armëpushimi afatgjatë.

Të premten, Izraeli konfirmonin se trupat e tij kishin depërtuar në pjesë qëndrore të qytetit.

Sulmi tokësor ka detyruar afro 1 milion palestinezë që të largohen nga qyteti Rafah dhe ka sjellë vështirësi në operacionet humanitare.

Familjet e pengjeve thonë se koha po skadon.

“Ky mund të jetë shansi i fundit për të shpëtuar jetë”, tha Gili Roman për agjencinë e lajmeve Associated Press. Motra e tij, Yarden Roman-Gat, u lirua gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, por kunata Carmel mbahet akoma peng.“Drejtuesit tanë nuk duhet të na zhgënjejnë. Por kryesorja, të gjithë sytë duhet të jenë te Hamasi”, tha zoti Roman.

Familjarë të pengjeve folën për një takim që e cilësuan si të ashpër, ditën e enjte me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Izraelit, Tzachi Hanegbi, i cili u kishte thënë atyre se qeveria nuk ishte e gatshme të nënshkruante një marrëveshje për të liruar të gjitha pengjet dhe se nuk kishte një plan B.

Kryeministrit Netanyahu ka premtuar një “fitore të plotë” që do ta largonte Hamasin nga pushteti, do të shkatërronte strukturën e tij ushtarake dhe do të bënte të mundur lirimin e pengjeve. Të shtunën, qeveria e tij tha se kushtet për përfundimin e luftës nuk kishin ndryshuar.

Shumë familjarë të pengjeve e akuzojnë qeverinë për mungesë vullneti për arritjen e një marrëveshjeje.

“Ne e dimë se qeveria e Izraelit ka kryer veprime për të vonuar arritjen e një marrëveshjeje dhe kjo u ka kushtuar jetën shumë njerëzve që mbijetuan në robëri për javë e muaj të tërë”, tha Sharone Lifschitz. Nëna e saj, Yocheved, u lirua në nëntor, por babai i saj, Oded, mbahet akoma peng.

Faza e parë e marrëveshjes së propozuar nga zoti Biden do të zgjaste 6 javë dhe do të përfshinte “armëpushim të plotë”, tërheqjen e forcave izraelite nga të gjjtha zonat e populluara të Gazës, lirimin e një numri të personave që po mbahen peng, përfshirë, gra, të moshuar dhe të plagosur, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur.

Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetur gjallë, përfshirë ushtarët dhe forcat izraelite do të tërhiqen nga Gaza.

Faza e tretë parashikon fillimin e rindërtimit të Gazës, për çka do të nevojiten dekada të tëra, pas shkatërrimeve të shkaktuara nga lufta.

Por Presidenti Biden pranoi se zbatimi i marrëveshjes nuk do jetë i lehtë, duke thënë se një sërë “detajesh duhet të negociohen” për të kaluar nga faza e parë në të dytën.

Presidenti Biden tha se nëse Hamasi dështon të përmbushë detyrime që dalin sipas marrëveshjes, Izraeli mund të rifillojë operacionet ushtarake.

Hamasi tha të premten se e shihte me “pozitivitet” propozimin dhe i bëri thirrje Izraelit që të deklarohet qartësisht se është i angazhuar për një marrëveshje që përfshin armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza, shkëmbimin e të burgosurve dhe kushte të tjera.

Sulmi i Hamasit më 7 tetor, la të vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë ndërsa u rrëmbyen rreth 250 vetë, sipas të dhënave izraelite.

Bombardimet izraelite dhe ofensivat tokësore kanë vrarë më shumë se 36,370 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, e cila nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve./ VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme