Biden paraqet propozimin e ri izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gaza, i bën thirrje Hamasit ta pranojë

22:34 | 31 Maj 2024
K.B

Presidenti amerikan Joe Biden ka paraqitur një propozim të ri izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gaza me Hamasin. Biden tha se Izraeli ka ofruar një udhërrëfyes me tre faza.

Faza e parë përfshin një armëpushim të plotë gjashtë-javor, tërheqjen e forcave izraelite nga të gjitha zonat e populluara të Gazës, lirimin e një numri pengjesh, përfshirë gra, të moshuar, të plagosur, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë dhe rritjen e ndihmave humanitare.

Si pjesë e fazës së dytë, ai përshkroi lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura të gjallë, përfshirë ushtarët meshkuj, tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza dhe ndërprerjen e armiqësive përgjithmonë. Megjithatë, Biden pranoi se do të nevojiteshin ende negociata të vështira midis fazës së parë dhe të dytë të planit.

Biden tha se faza e tretë e planit izraelit do të përfshijë gjithashtu një kthim të eshtrave të pengjeve të marra nga Izraeli në Gaza më 7 tetor dhe nisjen e një “plan të madh rindërtimi” për Gazën.

Biden i bëri thirrje Hamasit që të pranojë marrëveshjen, ndërsa të njëjtën thirrje e pati edhe për udhëheqësit në Izrael.

“I bëj thirrje udhëheqjes në Izrael që t’i qëndrojë marrëveshjejes, pavarësisht çfarëdo presioni që vjen. Unë ju kërkoj të bëni një hap prapa dhe të mendoni se çfarë do të ndodhë nëse humbet ky moment. Kjo marrëveshje do ta bënte Izraelin më të sigurt, duke mos “jetuar më nën hijen e një sulmi terrorist. Për më tepër, e gjithë kjo do të krijonte kushtet për një të ardhme tjetër dhe një të ardhme më të mirë, për popullin palestinez, një të ardhme dinjiteti dhe lirie”, tha Biden.

Ai theksoi se liderët palestinezë dhe izraelitë duhet të bashkohen për të rindërtuar Gazën, pa lejuar Hamasin të riarmatoset. Po ashtu, presidenti amerikan tha se SHBA do të ndihmojë në ndërtimin e shkollave dhe spitaleve.

Biden e përfundon fjalën e tij duke thënë se lufta duhet të përfundojë.

“Është koha për të filluar këtë fazë të re, për të sjellë pengjet në shtëpi, që Izraeli të jetë i sigurt, që vuajtjet të ndalojnë. Është koha që kjo luftë të përfundojë dhe të fillojë e nesërmja”, deklaroi presidenti i SHBA./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme