Prrokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të djeshme të Kryeministrit Kurti, lidhur me rastet e krimeve të luftës.
Në reagim thuhet se komentet e Kurtit janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit.
Reagimi i plotë:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të Kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me rastet e krimeve të luftës.
Prokuroria Speciale potencon fuqishëm se komentet e vazhdueshme të Kryeministrit të Kosovës për punën e Prokurorisë Speciale janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit. Andaj, si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se në pesë vitet e fundit, që nga koha kur kjo prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës, ka bërë punë jashtëzakonisht të madhe në bashkëpunim të plotë me institucionet ligj zbatuese. Për më tepër, kjo është bërë me kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm. KPK sjell në vëmendje të opinionit publik se në 20 vjetët e fundit, asnjëherë nuk është miratuar kërkesa buxhetore e plotë (në lartësinë 100% të kërkesës).
Gjithashtu, korniza ligjore për hetimin e krimeve të luftës ka ndryshuar shumë në pesë vjetët e fundit. Ky ndryshim ka paraqitur sfidë për një proces efikas dhe efektiv në hetimin e krimeve të luftës. Këtë sfidë nuk e kanë shtetet e tjera në regjion. Shtetet si Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina kanë miratuar strategjitë nacionale në nivel të qeverive dhe parlamenteve të vendeve të tyre për adresimin e krimeve të luftës. Ne ende nuk e kemi një strategji të tillë në nivel nacional.
Përkundër kësaj, me iniciativën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës , Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar Strategjinë e Krimeve të Luftës, mbi bazën e së cilës janë duke u zhvilluar hetimet e krimeve të luftës
Edhe me këto resurse të pamjaftueshme, si ligjore ashtu edhe financiare, njoftojmë opinionin publik se Prokuroria Speciale, aktualisht, ka të regjistruara gjithsej 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave.
Poashtu ju informojmë se ka përfunduar proceduara e avancimit të prokurorëve, nga ana e Këshillit Prokurorial dhe duke filluar nga data 1 qershor 2024, në Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale do të shtohen edhe dy (2) prokurorë, ku numri total i prokurorëve në këtë departament do të jetë pesë (5), të cilët do të merren ekskluzivisht me hetimin e krimeve të luftës.
Prokuroria Speciale i bënë thirrje publike Kryeministrit dhe çdo zyrtari tjetër shtetëror që të shmangë deklarimet publike, të cilat nuk përkojnë me gjendjen reale dhe i fton qytetarët për bashkëpunim me organet e rendit, në mënyrë që të gjithë ata individ që kanë kryer vepra penale të krimeve të luftës të vihen para drejtësisë.
Krimet e luftës nuk parashkruhen (vjetërsohen), andaj edhe ne nuk do të ndalemi duke punuar në të gjitha rastet qe i kemi lidhur me këto vepra penale./Arbresh.info/
Hamza për fjalimin e Osmanit: Marrëdhëniet me SHBA-të duhet ...
Bislimi takoi kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin e Grupit Par...
Majku i propozon të dashurës, ajo thotë “PO”
FSK dhe FARSH realizuan ushtrimin e përbashkët fushor “ Shpë...
Matt Gaetz tërhiqet nga emërimi për postin e prokurorit të p...
Haradinaj: Me kalimin e kohës Kosova po e rrit jo vetëm prod...