Qeveria e dërgon në KE agjendën mbi Planin e Rritjes, Kosova pritet të përfitojë rreth 945 milionë euro

20:59 | 30 Maj 2024
D.H

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se Kosova e ka dërguar në Komisionin Evropian draftin dhe tabelën e agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi bëri të ditur se hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve dhe nga ky plan, Kosova pritet të përfitojë një shumë prej rreth 945 milionë euro.

Postimi i plotë:

Pas një pune voluminoze dhe intensive, Republika e Kosovës ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes. Së shpejti ajo do të miratohet edhe në nivel të Qeverisë.

Vendi ynë është i pari në rajon i cili e ka përmbushur këtë hap dhe dërguar këtë dokument drejt Bashkimit Evropian, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, angazhimit e përkushtimit në avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përfitimit nga dritarja e mundësisë që ofron kjo iniciativë e BE-së.

Sektorët kyç të prekur e fokusuar janë ato të qeverisjes së mirë dhe administratës publike, tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme dhe digjitalizimit, zhvillimi i sektorit privat dhe ambientit të të bërit biznes, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, dhe sundimi i ligjit, e ku parashihet realizimi i rreth 30 reformave dhe mbi 100 aktiviteteve, të shtrira përgjatë një periudhe kohore 3 deri në 4 vjeçare.

Hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve, e ku puna po vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian. Vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive.

Kosova në vazhdimësi po shfaq vullnetin e saj jo vetëm për integrim të plotë e sa më parë në familjen evropiane bazuar në norma meritokracie, por edhe gatishmërinë në arritjen e standardeve evropiane e përmbushjen e reformave të nevojshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme