Google ADS

Parlamenti spanjoll miratoi Ligjin për amnisti për separatistët katalonas

13:13 | 30 Maj 2024
E.K

Parlamenti i Spanjës i dha miratimin përfundimtar ligjit kundërthënës që amniston qindra separatistë katalonas, që ishin përfshirë në përpjekjen për shkëputje të Katalonjës më 2017.

Ligji u mbështetet nga Qeveria e koalicionit të krahut të majtë të Spanjës, dy parti separatiste katalonase dhe parti të tjera të vogla politike. Ligji mori 177 vota për, ndërkaq 172 deputetë nga Partia konservatore Popullore dhe ajo e ekstremit të djathtë, Vox, votuan kundër.

Nga amnistia mund të përfitojë ish-presidenti i rajonit të Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili u largua në Belgjikë pas një përpjekjeje të dështuar për shkëputjen e Katalonjës nga Spanja.

Nga ligji i ri mund të përfitojnë gjithashtu qindra njerëz të tjerë, duke përfshirë ish-zyrtarë të Qeverisë rajonale të Barcelonës, qytetarë të thjeshtë që morën pjesë në protesta dhe oficerë policie që u përfshin në parandalimin e referendumit të paligjshëm për pavarësi që u mbajt nga Qeveria e Puigdemontit.

Megjithatë, miratimi i këtij ligji nuk nënkupton që problemet ligjore të separatistëve, që evokuan për pavarësi, do të zgjidhen menjëherë.

Ligji ka të ngjarë të përballet me sfida ligjore dhe të shqyrtohet nga gjykatat më të larta, të cilat do ta zbatojnë atë rast pas rasti.

Ka ekspertë që vënë në dyshim kushtetutshmërinë e tij, sepse thonë se ligji do të krijonte pabarazi mes qytetarëve spanjollë, duke favorizuar një grup.

Që nga marrja e pushtetit në vitin 2018, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, është fokusuar në uljen e tensioneve në Katalonjën verilindore dhe ka argumentuar se amnistia është thelbësore për këtë proces.

Megjithatë, amnistia ishte gjithashtu një domosdoshmëri politike për Sanchez, i cili pranoi të miratonte faljen për separatistë, pasi kishte nevojë për mbështetjen e ligjvënësve separatistë për miratimin e Qeverisë së re kombëtare në nëntor.

Ligji u miratua fillimisht nga Dhoma e Ulët e Parlamentit në mars.

Senati, në të cilin partitë e krahut të djathtë kanë shumicën, në fillim të këtij muaji vendosi veto, por Dhoma e Ulët e shtyu përpara ligjin.

Edhe pse amnistia është një temë që ka mbështetje në Katalonjë, Partia Popullore dhe Vox kanë organizuar protesta kundër ligjit në Madrid dhe qytete të tjera në mbarë Spanjën.

Ndërkaq, kritikë të amnistisë ka edhe në partinë e kryeministrit Sanchez.

Referendumi i pavarësisë u shpall i paligjshëm nga gjykatat në Spanjë dhe rezultoi në krizën më të rëdnë politike të Spanjës në dekada.

Kjo do të jetë amnistia më e madhe në Spanjë, që nga amnistia e përgjithshme krimet e kryera gjatë diktaturës së Francisco Francos më 1977.

Ky është gjithashtu ligji i parë i amnistisë i miratuar në Bashkimin Evropian që nga viti 1991, sipas këshillit kërkimor spanjoll, CSIC./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme