Kurti vizitoi Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, u njoftua me idetë dhe sfidat e ndërmarrjeve të reja inovative

17:36 | 29 Maj 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, vizituan hapësirat e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren.

Në bisedë me të rejat dhe të rinjtë aty, u njoftuan me idetë dhe njëkohësisht sfidat të cilat po tejkalohen suksesshëm gjatë punës me ndërmarrje të reja inovative, përcjell Arbresh.info.

“Mësova që si ekosistem funksional dhe dinamik, tashmë janë 47 kompani të përfshira dhe 352 të punësuar, ku bëjnë pjesë edhe institucione arsimore dhe ofrues të trajnimeve”, tha Kurti duke cilësuar Parkun si një rrëfim suksesi i zhvillimit, arsimimit, progresit, kreativitetit dhe inovacionit.

Duke përcjellë zhvillimin e ITP-së që nga fillimi, ai shprehu se Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Federale Gjermane kanë kontribuuar deri më tani me nga 8 milionë euro për zhvillimin e Parkut, derisa edhe 5 milionë euro të tjera janë premtuar nga Qeveria Gjermane për periudhën 2026-2029.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti veçoi edhe masat e gjelbra të përfshira së fundmi nga ITP, përveç përgëzimeve për arritjet në sektorët prioritarë të shëndetësisë, kërkimit, zhvillimit, energjisë së gjelbër, industrisë krijuese dhe kulturore, si dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

“Më erdhi shumë mirë që po zbatohen masa për uljen e gjurmës së karbonit dhe promovimin e dekarbonizimit përfshirë instalimin e paneleve fotovoltaike dhe sistemeve të efiçiencës së energjisë”, tha ai.

Në fund, i gatshëm për të dëgjuar tutje për sfidat dhe mësimet gjatë progresit të ITP-së, kryeministri deklaroi se ky park është në rrugë të mbarë që të bëhet shembull për parqet tona të tjera të cilat do të mund të ndërtohen në Kosovë.

“Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren hapi dyert në maj të vitit 2020. Ai është një pikë qendrore në rajonin e Ballkanit për inovacion, zhvillim të biznesit dhe aftësive, dhe një burim i ideve inovative dhe të suksesshme. Tashmë ky park është në rrugë të mirë drejt vetëqëndrueshmërisë financiare, duke gjeneruar të ardhura nga qiratë dhe shërbimet. Në vitin 2023, ITP ka gjeneruar rreth 400,000 Euro të hyra. Në vitin 2024, parashikohet të gjenerohen 520,000 Euro, ndërsa në vitin 2026 ITP parashihet që të arrijë pikën e vetëqëndrueshmërisë financiare”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Të ngjashme