Presidenti i Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, tha se Ligji për regjistrin e veçantë dhe publicitetin e punës së organizatave jofitimprurëse u tërhoq nga procedurave parlamentare pasi që “Republika Sërpska është e përkushtuar për rrugën evropiane”.
Ky ligj, që njihet edhe si Ligji për “agjentët e huaj” u tërhoq nga debati në Asamblenë Kombëtare të entitetit serb të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë më 28 maj.
Ligji u tërhoq me kërkesë të Qeverisë së RS-së dhe vendimi u bë publik nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë i këtij entiteti, Millosh Bukelloviq, i cili nuk dha detaje për arsyen e tërheqjes së ligjit.
Ligji ofron mbikëqyrje të posaçme dhe mundësi për të ndaluar punën e organizatave joqeveritare që financohen nga jashtë, ndalesë për aktivitete politike dhe nevojën për regjistrim shtesë dhe dërgimin e raporteve financiare.
Ligji përkufizon si “agjentë të ndikimit të huaj” organizatat jofitimprurëse që ndihmojnë subjektet e huaja dhe që merren me veprime apo aktivitete politike, ndikojnë në opinionin publik dhe ato që “shkelin integritetin dhe Kushtetutën e Republikës Sërpska”.
Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Dodik tha se u pajtua me Qeverinë e RS-së dhe anëtarët e koalicionit qeverisës në Parlamentit të këtij entiteti që të tërhiqej ligji, në mënyrë që të “harmonizohet më shumë me ligjet që disa shtete evropiane kanë dhe i zbatojnë” dhe të “harmonizohet me praktikat ligjore evropiane”.
“Propozimi u tërhoq për koordinim shtesë dhe do të kthehet me kohë në një procedurë të re”, tha Dodik.
Dodik, i cili është nën sanksione amerikane dhe britanike për shkak të veprimeve kundërkushtetuese, kishte njoftuar për hartimin e këtij ligji më 2022.
Asambleja Kombëtare e RS-së ka miratuar këtë projektligj në shtator të vitit të kaluar, i cili u kritikua nga publiku, sektori i organizatave joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare.
Sipas një hulumtimi të kryer nga Radio Evropa e Lirë, ligji është i afërt me legjislacionin që Rusia aplikon që nga viti 2012.
Ambasada amerikane ka thënë më parë për Radion Evropa e Lirë se ky ligj është “shtypës dhe jodemokratik”, dhe se, nëse zbatohet, do të shkelte në mënyrë drastike të drejtat dhe liritë e njerëzve që jetojnë në Republikën Sërpska.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë kërkoi tërheqjen e këtij projektligji nga rendi i ditës së Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, sepse vetë ligji, siç u tha nga kjo zyrë, “ka për qëllim të heshtë dhe të frikësojë civilët dhe organizatat e shoqërisë”./REL/
Anisa dhe Driloni bisedojnë për dashurinë
Sindikalistët e shëndetësisë njofton për protestën e radhës ...
Dy shqiptarë të nominuar për çmimet vjetore të FIFA-s
Rumania fillon rinumërimin e votave pas akuzave për shkelje ...
Bebushja Luna Mari Ejlli rrëmben vëmendjen me veshje kombëta...
Hovenier: Falënderues për ushtarët amerikanë që shërbejnë në...