Një kamp tendash në zonën e evakuimit në pjesën perëndimore të Rafahut u sulmua të martën, duke lënë të paktën 21 të vrarë. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi, sulmi u krye nga tanket izraelite, por ushtria izraelite mohoi të jetë pas goditjes në Al-Mawasi.
Ky sulm vjen vetëm dy ditë pas sulmit izraelit ndaj një kampi refugjatësh, që u dënua në shkallë ndërkombëtare. Shërbimet emergjente në Gaza thanë se katër predha tankesh goditën një numër tendash në Al-Mawasi, një zonë e ngushtë bregdetare, ku Izraeli i ka udhëzuar civilët nga Rafah të strehohen.
Përmes një deklarate, ushtria izraelite tha se “përkundër raportimeve të disa orëve të fundit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk sulmuan Zonën Humanitare në Al-Mawasi”.
Në mesin e të vdekurve ishin 12 gra, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Një zëdhënës ushtarak tha se “deri në këto momente nuk jemi në dijeni për incidentin.”
Në pjesën qendrore të Rafahut, tanket dhe makinat e blinduara me armë automatike janë stacionuar pranë xhamisë Al-Awda, sipas dëshmitarëve me të cilët bisedoi agjencia Reuters.
Kritikat ndërkombëtare ndaj ofensivës trejavëshe në Rafah u shndërruan në zemërim të hapur pas sulmit të së dielës dhe zjarrit që kaploi një kamp tendash, duke lënë të paktën 45 të vrarë.
Izraeli tha se kishte vënë në shënjestër të sulmit dy udhëheqës të lartë të Hamasit dhe se synimi i tij nuk ishte të shkaktonte dëme ndaj civilëve.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha të martën se ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin vdekjeprurës në kampin e refugjatëve në Rafah, por shtoi se bombat 17 kilogramëshe të përdorura në sulm besohet se ishin shumë të vogla për të shkaktuar një zjarr të përmasave të tilla.
“Po shqyrtojmë të gjitha mundësitë, përfshirë mundësinë që një sasi armësh të kenë qenë të fshehura në një vend afër objektivit tonë, për të cilën ne nuk kemi patur njohuri më parë dhe të kenë shpërthyer si rezultat i sulmit,” deklaroi zëdhënësi Hagari, duke shtuar se sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes ka shenja se kishte shpërthime dytësore pas sulmit.
Spanja, Norvegjia dhe Irlanda hedhin hapa konkretë për njohjen e shtetit palestinez
Ndërkohë përmes një gjesti diplomatik që sipas tyre ka për qëllim të frenojë dhunën, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia hodhën hapa konkretë të martën për të njohur zyrtarisht shtetin palestinez, duke thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit për shkak të luftës.
“Ky vendim historik ka një qëllim, t’iu ndihmojë izraelitëve dhe palestinezëve të arrijnë paqen. Njohja e shtetit të Palestinës nuk është vetëm çështje drejtësie historike e aspiratave legjitime të palestinezëve, por është, mbi të gjitha, një domosdoshmëri nëse duam të arrijmë paqen”, deklaroi zoti Sanchez.
Irlanda dhe Norvegjia po ashtu vendosën ta njohin shtetin palestinez, duke iu bashkuar rreth 140 shteteve që tashmë e njohin atë. Por, asnjëra nga fuqitë perëndimore ende nuk e kanë njohur shtetin palestinez.
Megjithatë, sipas ndihmës profesorit të fakultetit të drejtësisë në universitetin e Utrehtit, Kushtrim Istrefi, njohja e shtetit palestinez nga tre shtetet evropiane ka peshë ligjore dhe politike dhe nga këndvështrimi i ligjit ndërkombëtar, po e shndërron në realitet zgjidhjen me dy shtete.
“Kemi parë aleatët më të fuqishëm, si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera, që po nxisin qeverinë (izraelite) të ndryshojë strategjinë. Këto thirrje jo gjithnjë kanë funksionuar dhe mendoj se këto njohje po dërgojnë një sinjal më të fuqishëm, që kursi që po ndjek Izraeli nuk e ndihmon atë, sepse njohjet po vijnë si rezultat i asaj që po bën Izraeli, jo veprimeve të Palestinës. Prandaj është në interesin e Izraelit, të analizojë se përse aleatët e tij po i ofrojnë këto njohje,” thotë zoti Istrefi për agjencinë e lajmeve Reuters.
Kritikat e ashpra ndërkombëtare ndaj Izraelit u shtuan të martën, një ditë pas sulmit në qytetin e Rafahut, që shkaktoi 45 viktima mes të të zhvendosurve palestinezë në një kamp tendash. Sulmi në Rafah erdhi vetëm pak ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kërkoi nga Izraeli që t’i jepte fund ofensivës ushtarake në Rafah.
Kryeministri izraelit Netanyahu i tha parlamentit të hënën se sulmi në Rafah ishte “një gabim tragjik”.
“Kemi evakuuar rreth një milionë banorë nga Rafahu dhe megjithë përpjekjet tona që të mos shkaktojmë dëme ndaj civilëve, fatkeqësisht ndodhi një gabim tragjik. Po hetojmë rastin dhe do t’i bëjmë të ditura gjetjet”, deklaroi ai.
Që nga fillimi i operacionit në Rafah, rreth një milion palestinezë janë zhvendosur nga pjesa jugore e Rripit të Gazës. Shumica janë zhvendosur disa herë përgjatë ofensivës tetë mujore të Izraelit në Gazë, që ka për qëllim të eliminojë grupin militant Hamas, por që ka shkatërruar këtë territor dhe ka shkaktuar uri, sipas Kombeve të Bashkuara.
“Po vuajmë për ujë. Ecim 20-30 kilometra për të siguruar ujë nga Deti Mesdhe. Është vështirë të sigurosh ushqim. Nuk ka ndihma. Aeroplanët po hedhin ndihma, por ne nuk po i marrim ato. Situata është tragjike përtej imagjinatës”, tha i zhvendosuri Tamer Abu’l Kheir.
Sipas Kombeve të Bashkuara, për shkak të ofensivës në Rafah, ndihmat humanitare që po hyjnë në Gazë kanë arritur nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës dhe janë të pamjaftueshme për të furnizuar me ushqime banorët e zhvendosur të enklavës./voa
Daut Haradinaj: Kurti po injoron shkeljen e të drejtave të s...
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa
Chiesa rikthehet në Itali, afër gjigantit italian
Bedri Hamza në Zvicër: Diasporën do ta kemi edhe në Kuvend d...
Ishte në kërkim nga drejtësia, arrestohet një 40 vjeçar në H...