Ministrat e mbrojtjes të Bashkimit Evropian po mbajnë një takim në Bruksel, në përpjekje për të miratuar miliarda euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, gjë që deri tani është penguar nga Hungaria. Takimi vjen ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vazhdoi vizitat në disa vende të BE-së me një ndalesë në Belgjikë, ku siguroi premtimin për rreth 1 miliardë euro ndihma ushtarake për Kievin në luftën me Rusinë, tashmë në vitin e tretë.
6.5 miliardë euro ndihmë ushtarake nga BE-ja kanë ngecur për shkak të kundërshtimit të qeverisë së kryeministrit Viktor Orban, që konsiderohet si aleati më i vendosur i Rusisë në bllok.
“Hungaria po bllokon financimin shtesë për Ukrainën dhe është një situatë vërtet e vështirë. Ne duhet ta marrim këtë vendim për të mbështetur Ukrainën me aftësi të forta mbrojtëse dhe ushtarake. Ky financim shtesë është i nevojshëm”, tha Ministri i Mbrojtjes i Finlandës, Antii Hakkanen.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i cili po merr pjesë në takim, tha se Ukraina ka nevojë për mbështetje më urgjente ajrore, përfshirë sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore, Patriot.
“Kemi parë njëfarë përparimi, por Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë përparim dhe më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore”, tha ai.
Zoti Stoltenberg tha se ky ishte edhe mesazhi i takimit të radhës të Këshillit NATO-Ukrainë që po mbahet po sot.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha gjithashtu se që Ukraina të jetë në gjendje të mbrojë territoret e saj, ajo mund të godasë edhe objektiva në Rusi që përdoren për të sulmuar territorin e saj.
“Sipas ligjit ndërkombëtar, Ukraina ka të drejtën për vetëmbrojtje dhe këtu përfshihet goditja e objektivave jashtë Ukrainës, objektivave legjitime ushtarake brenda Rusisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani, sepse luftimet më të ashpra po zhvillohen në rajonin e Kharkivit pranë kufirit Ukrainë-Rusi, një pjesë e kufirit është në fakt vija e frontit”, tha ai.
Reagimi i tij vjen pasi Presidenti Zelenskyy u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të hënën gjatë një konference shtypi në Madrid, që ta lejojnë Ukrainën të godasë për vetëmbrojtje objektiva ushtarakë brenda Rusisë me armët e dërguara prej tyre.
Kremlini tha se Perëndimi rrezikon një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe një luftë globale në të ardhmen, nëse e lejon Ukrainën ta bëjë një gjë të tillë.
Gjatë vizitës në Spanjë, zoti Zelenskyy siguroi një marrëveshje prej 1miliardë euro ndihma ushtarake. Të martën, Belgjika u bë vendi i dytë që premtoi një ndihmë të tillë brenda dy ditëve. Marrëveshja për ndihmën u nënshkrua nga Kryeministri belg Alexander De Croo dhe Presidentit Zelenskyy gjatë një vizite të këtij të fundit në Belgjikë.
Marrëveshja parashikon edhe dërgimin e 30 avionëve luftarakë F-16 dhe zoti Zelenskyy dhe zoti De Croo vizituan një bazë ushtarake dhe inspektuan avionët F-16.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, zoti Zelenskyy ritheksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden në një takim të nivelit të lartë për paqen që po organizohet nga Kievi në Zvicër muajin e ardhshëm.
“Unë mendoj se prania e Presidentit Biden është e nevojshme në samitin e paqes, sepse udhëheqësit e tjerë po shohin se si do të përgjigjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mospjesëmarrja e tij do të duartrokitej nga Putini”, tha ai.
Deri tani presidenti Biden nuk e ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në takim. Ukraina shpreson pjesëmarrjen e sa më shumë vendeve për të diskutuar mbi rrugët për ndaljen e luftës dhe konsolidimin e trysnisë mbi Rusinë.
Presidenti Zelenskyy i ka bërë thirrje për pjesëmarrje edhe Kinës, aleates së Rusisë./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...