Google ADS

Polonia “nuk duhet të përjashtojë” mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë

10:00 | 28 Maj 2024
E.G

Polonia nuk duhet të përjashtojë mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, ka thënë ministri i jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, në disa komente të publikuara të martën, teksa Rusia vazhdon të avancojë në fushëbetejë.

Megjithatë, Sikorski nuk e ka specifikuar se çfarë roli do të mund të luanin trupat polake.

Ndonëse aleatët e NATO-s, të cilët mbështesin Ukrainën, janë zotuar për të furnizuar shtetin e shkatërruar nga lufta me para dhe armë për aq sa të duhet – për të luftuar pushtimin rus – ato e kanë përjashtuar mundësinë e dërgimit të ushtarëve në këtë shtet.

I pyetur përgjatë një interviste nëse Polonia është e gatshme të dërgojë trupa ushtarake në Ukrainë, Sikorski ka thënë se “nuk duhet përjashtuar si mundësi. [Presidenti rus, Vladimir] Putini duhet të hamendësojë për qëllimet tona”.

Intervista është publikuar në tri gazeta, në Poloni në Wyborcza, në La Repubblica të Italisë dhe El Pais të Spanjës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka lënë të hapur mundësinë për të dërguar trupa ushtarake në Ukrainë, përgjatë një konference në Paris më 26 shkurt, duke sugjeruar që trupat perëndimore do të mund t’iu ndihmonin ukrainasve me stërvitje.

Vetë Sikorski ka thënë në të kaluarën që prezenca e trupave të NATO-s në Ukrainë “është e paimagjinueshme”.

Të hënën, një komandant i lartë i Ukrainës ka thënë se e ka nënshkruar një dokument që ua mundëson instruktorëve ushtarakë francezë vizitën në qendrat ukrainase të trajnimit.

Rusia është duke avancuar në fushëbetejë prej kur Kievi nuk ka arritur të shënojë përparim të madh në kundërofensivën e vitit 2023.

Ushtria ukrainase, po ashtu, e ka vuajtur mungesën e armëve dhe municionit në muajt e fundit, derisa Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar ndihmën ushtarake në vlerë të 61 miliardë dollarëve për këtë vend.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Të ngjashme