Google ADS

Zelensky thotë se s’i beson Putinit, teksa BE po mendon për bisedime për paqe me Rusinë

23:17 | 27 Maj 2024
D.H

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën se ai nuk i beson presidentit rus Vladimir Putin, pas raportimeve se Bashkimi Evropian po mendon të organizojë bisedime për paqe me Rusinë.

Bloomberg raportoi më 27 maj se blloku evropian është duke punuar për organizimin e një takimi në Arabinë Saudite në fund të këtij viti, ku do të merrte pjesë edhe Rusia.

Ai takim do të mbahej pas samitit të Ukrainës për paqe më 15-16 qershor në Zvicër, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga dhjetëra vende, por jo edhe nga Rusia.

“Putinit nuk i zihet besë”, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp në Spanjë, ku ai e nënshkroi një marrëveshje dypalëshe për sigurinë me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, në vlerë 1 miliard euro më 27 maj.

Presidenti ukrainas tha se vendi i tij kishte mbajtur rreth 200 runde bisedimesh me Kremlinin, shumica e të cilave ishin mbajtur shumë kohë para se Rusia ta fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

“Nuk kishte rezultate; territoret e uzurpuara, mbetën të uzurpuara”, tha Zelensky.

Ai tha se 90 vende janë pajtuar për të marrë pjesë në samitin për paqe në qytetin Lucern në Zvicër muajin e ardhshëm.

Të dielën, Zelensky përmes një video-mesazhi u bëri thirrje liderëve botërorë, në veçanti presidentit amerikan Joe Biden, të “tregojnë lidership në avancimin e paqes” dhe të marrin pjesë në takim.

Por Bloomberg raportoi se Biden do ta shmangë këtë samit për të marrë pjesë në një ngjarje për fushatën e vet presidenciale.

Rusia nuk është ftuar në samitin e organizuar nga Ukraina. Zelensky ka thënë se pjesëmarrja e Rusisë do ta rrezikonte prishjen e samitit.

Moska e ka hedhur poshtë rëndësinë e këtij samiti në Zvicër. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kishte thënë në prill se bisedimet për paqe pa Rusinë “nuk kanë kuptim”.

Ngjashëm, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se vendimet në lidhje me luftën në Ukrainë që “shpërfillin qëndrimin e Rusisë” janë “jashtë çdo realiteti”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme