Ministrja e Jashtme dhe ministri kanadez zotohen për intensifikimin e bashkëpunimit

20:00 | 27 Maj 2024
E.G

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar me Ministrin e Zhvillimit Ndërkombëtar të Kanadasë, Ahmed Hussen.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, investimeve strategjike, investimeve në energji të pastër dhe mbrojtje të mjedisit, shkruan Arbresh.info.

“Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla, e shoqëruar edhe nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, Mimoza Kusari-Lila, e njoftoi Ministrin Hussen rreth progresit që ka arritur Republika e Kosovës në fushën e demokratizimit të vendit, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes, respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillim ekonomik.”, thuhet në komunikatë.

Më tej Ministrja Gërvalla dhe Ministri Hussen biseduan edhe rreth potencialit të madh të Republikës së Kosovës në zhvillim ekonomik, duke u nisur nga rinia, pasuritë natyrore dhe ambienti i favorshëm i të bërit biznes.

Ministrja Gërvalla dhe Ministri kanadez Ahmed Hussen theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve duke u zotuar për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët./Arbresh.info/

Të ngjashme