Media zvicerane: Popullsia e Kosovës po tkurret

19:04 | 26 Maj 2024
E.H

Të premten ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Brenda një muaj e gjysmë pritet që autoritetet t’i publikojnë rezultatet preliminare.

Në bazë të disa të dhënave tashmë dihet se numri i banorëve rezidentë në Kosovë pritet të jetë diku rreth 1.5 milionë banorë, apo rreth 300 mijë më pak se regjistrimi i fundit i popullsisë i vitit 2011.

Ky fakt nuk ka kaluar pa u raportuar edhe nga mediat e huaja ku jetojnë një numër i madh i qytetarëve të Kosovës.

Së fundmi media zvicerane Le Matin ka shkruar një artikull me titull “Popullsia e Kosovës po zvogëlohet, tregojnë rezultatet paraprake”.

Popullsia e Kosovës ka rënë nga 1.8 në 1.5 milion njerëz në më shumë se një dekadë, sipas rezultateve preliminare të regjistrimit që përfundoi të premten, njoftoi të shtunën ASK, shkruan gazeta zvicerane.

Media zvicerane thotë se pavarësisht se procesi hasi në vështirësi sidomos në zonat e banuara me serbe në pjesën veriore të Kosovës “procesi u konsiderua i suksesshëm”.

Sipas medias zvicerane tensioni është rritur kohët e fundit në vend midis dy komuniteteve, veçanërisht për shkak të zbatimit të një ligji të ri të diskutueshëm në shkurt, i cili e bëri euron mjetin e vetëm ligjor në Kosovë, duke ndaluar efektivisht dinarin serb.

Lëvizja bëri që partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, të nxiste përkrahësit e saj që ta bojkotojnë regjistrimin.

Zyrtarët e regjistrimit thanë se nuk do të ishin në gjendje të konfirmonin një bojkot të mundshëm nga serbët, popullsia e të cilëve llogaritet në rreth 100,000, derisa të përpunoheshin të gjitha të dhënat e mbledhura.

Megjithatë, ata nuk e përjashtuan këtë mundësi, sepse mbikëqyrësit serbë dhe regjistruesit përgjegjës për veriun dhanë dorëheqje një ditë pas fillimit të regjistrimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme