Protesta afër pikë-kalimit kufitar në Jarinjë, Elshani për Arbresh.info: Nuk ka pasur problem, pak protestues

18:03 | 25 Maj 2024
E.G

Sot në  territorin e Serbisë, afër pikë-kalimit kufitar të Jarinjës është paralajmëruar protestë.

Lidhur me këtë në një intervistë për Arbresh.info, zv.drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se numri i protestuesve ka qenë i vogël në anën serbe.

“Ne kemi pasur informacion që në vijën kufitare me Serbinë ne kemi mundësi të kemi protestë, respektivisht në pikën kufitare në Jarinjë. I kemi marrë masat policore këtu në veri të vendit, nuk ka pasur ndonjë problem për me theksu. Një numër shumë i vogël i tyre kanë qenë në anën serbe, atje ku kanë protestuar mirëpo nuk ka pasur ndonjë problem për neve”, u shpreh Elshani.

I pyetur nëse priten protesta të tjera, ai tha se nuk ka paralajmërime për diçka të tillë.

Megjithatë, ai u shpreh se Policia ka një numër të mjaftueshëm të policëve në veri dhe në rast nevoje do të angazhohen.

Ndërkaq, situatën e sigurisë në veri të vendit, Elshani e vlerësoi si të qetë por delikate.

Kjo për shkak, siç tha ai, të ngjarjeve e që kanë ndodhur që nga viti 2022 e deri më sot.

“Ne vazhdojmë të jemi vigjilentë në kryerjen e detyrave tona”, theksoi ai.

Ndryshe, pas paralajmërimit për protestë në Serbi, në Leposaviq është vënë re prezencë më e madhe e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.

Përveç KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë janë parë edhe automjete te misionit të Bashkimit Evropian për zbatim të ligjit, EULEX si dhe karabinierët.

Situatë e qetë në pikë-kalimin kufitar në Jarinjë, KFOR-i dhe EULEX prezent

Ndërkaq, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se është normalizuar qarkullimi në pikat kufitare me Serbinë./Arbresh.info/

Normalizohet qarkullimi në pikat kufitare me Serbinë

Të ngjashme