Dita e Presidentit, Osmani: Rugova ishte dhe mbetet udhërrëfyesi ynë

14:44 | 24 Maj 2024
K.B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 24 majit, Ditës së Presidentit, tha se kjo ditë e vendosur nga presidenti historik Ibrahim Rugova, është ditë e simbolikës shtetërore për Republikën e Kosovës.

Ajo theksoi se Rugova “ishte dhe mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin”.

Presidentja Osmani ka marrë pjesë në shënimin e kësaj dite, me ç’rast u promovua edhe libri “Liria si imanencë njerëzore” e autorit e Munish Hysenit, e ku morën pjesë edhe familja Rugova.

“Ora 12 në Shtëpinë e Pavarësisë, apo në shtëpinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si njihej paralufte, është një kujtesë historike për të gjithë ne, sepse po në këtë orë, çdo të premte, arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik, apo si njihej, Dr. Ibrahim Rugova, me konferencat e tij të përjavshme për shtyp sensibilizoi për vite me radhë opinionin ndërkombëtar për ngjarjet ne Kosovë”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se 24 maji, Dita e Presidentit, është vendosur nga vet presidenti historik, Ibrahim Rugova dhe është një ditë e simbolikës shtetërore në Republikën tonë dhe se janë mbledhur, sot këtu, në Shtëpinë e Pavarësisë, për të promovuar librin “Liria si imanencë njerëzore”, e autorit Munish Hyseni, projekt i bibliotekës presidenciale Ibrahim Rugova që përmbledh fjalimet e tij të zgjedhura dhe të sistemuara nga Munish Hyseni.

Osmani përkujtoi se 24 maji u lidhet me ditën kur Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës, më 24 maj të vitit 1992, në zgjedhjet e para demokratike të mbajtura nën okupim.

“Presidenti Rugova ishte dhe mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin e në veçanti me aleatin kryesor dhe të pazëvendësueshëm SHBA-në”, tha pos tjerash Osmani. /rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme