Shefi i AKI-së, Petrit Ajeti me shantazhe ndaj gjyqtarëve kushtetues dhe implikim në konkurse, asnjë hetim ndaj tij

16:59 | 23 Maj 2024
E.G

Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, (AKI), Petrit Ajeti është përfshirë në disa skandale që nga ardhja e tij në krye të këtij institucioni në prill të vitit 2021.

Fillimisht, në prill të vitit të kaluar, Ajeti është denoncuar për shantazh të gjyqtarëve kushtetues.

Në media ishte raportuar se drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti kishte zhvilluar një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Greca Caka-Nimani. Takimi ishte zhvilluar më 31 mars në Prishtinë, në objektin e Gjykatës Kushtetuese, raporton Arbresh.info.

Madje, Paparaci kishte siguruar një dokument me anë të së cilit ishin informuar partnerët perëndimorë lidhur me këtë takim që duket tepër serioz dhe shqetësues.

Në atë dokument thuhej se shefi i inteligjencës, Petrit Ajeti i kishte dorëzuar një memo kryegjyqtares kushtetuese, Gresa Caka, i cili siç përshkruhet në informatë, përmbante të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Megjithatë, pas një viti, dyshohet se drejtori i AKI-së është përfshirë sërish në një ndërhyrje tjetër.

Kryeshefi i AKI-së, Petrit Ajeti po dyshohet se është implikuar në një proces rekrutimi të kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan për të favorizuar një kandidat.

Ish administratorja e kësaj gjykate, Florina Jerliu, në një intervistë për Betimi për Drejtësi ditë më parë ngriti akuza se kandidati që pastaj u zgjodh kryetar, Venhar Salihu i shkoi në shtëpi jo i vetëm – por në shoqërinë e shefit të AKI-së.

Sipas Jerliut, ajo fillimishte ishte vizituar në vendin e saj të punës nga dy zyrtarë të AKI-së disa ditë para ngjarjes dhe ishin interesuar për kandidatët për kryetar, përfshirë edhe emrin e Venhar Salihut.

“Ka qenë dikun ditë e diel, më thërret Venhar Salihu në telefon edhe më thotë, po du me ardhë në shtëpinë tënde. Unë i thom, nuk muj me ju pritë se bashkëshortin nuk e kam në shtëpi, thotë unë nuk po hy brenda, po veç deri te dera. Unë i thom eja. Kur vjen, vjen me një xhip me ngjyrë të mbylltë, me xhama të zi. Gjyqtari Venhar del prej pjesës së majtë, ndërsa prej pjesës së djathtë del Kryeshefi i AKI-së, Petrit Ajeti”,  ka thënë Jerliu në intervistën për betimipërdrejtësi.

Ndërkohë, Arbresh.info ka kërkuar përgjigje nga Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së, nëse ka nisur hetime ndaj Ajetit rreth këtyre rasteve, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Ndryshe, më 15 prill të vitit 2021, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, kishin emëruar Petrit Ajetin drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Emërimi i Ajetit në krye të AKI-së kishte ardhur pasi ky institucion kishte mbetur pa udhëheqës që prej dhjetorit të vitit 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në koordinim me Vjosa Osmanin që në atë kohë ushtronte detyrën e presidentes, e shkarkuan Kreshnik Gashin nga pozita e drejtorit të AKI-së./Arbresh.info/

Të ngjashme