Deputeti i VV-së kritikon opozitën: Duan zgjedhje, por refuzojnë shpërndarjen e Kuvendit

15:06 | 23 Maj 2024
A Z

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) u ka bërë thirrje publike dy partive tjera opozitare, LDK- së dhe AAK-së, që ta mbështesin mocionin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme më 30 qershor ose 7 korrik 2024

Megjithatë, LDK dhe AAK kanë shprehur qëndrime të ndryshme dhe preferojnë opsione tjera.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje pret unifikimin e opozitës për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një intervistë për Arbresh.info sa i përket çështjes për zgjedhje të parakohshme, ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Sipas tij  muaji shtator është koha kur mund të fillojnë diskutimet për zgjedhje.

Tutje thotë se për këtë çështjet duhet të jetë një debat ku përfshihen të gjithë krerët.

“Meqenëse muaji shtator është kur ligjërisht mundemi me fillu diskutimet për zgjedhje, unë mendoj se po, a duhet të shkojë, mendoj se duhet dhe konsultime dhe me subjekte tjera politike por edhe brenda grupit parlamentar, meqenëse ne nuk kemi bisedu në detaje, kështu që unë mendoj se duhet të jetë një debat ku përfshihen të gjithë krerët”, tha ai.

Basha kritikon opozitën, duke thënë se në njërën anë duan zgjedhje për një qeveri të re, në tjetrën anë refuzojnë të shpërndajnë kuvendin.

“Ne si parti nuk kemi kërku zgjedhje, Kryeministri ka treguar që ne jemi rahat me punën tonë por kjo ka qenë si përgjigje e opozitës, e cila në njërën anë thotë se kjo qeveri duhet të bie, duhet të shkojmë në zgjedhje që të sjellin një qeveri të re, ndërsa në anën tjetër refuzojnë me shpërnda Kuvendin, kryeministri ka thënë meqenëse po doni me shku në zgjedhje, atëherë njëra nga mundësitë është më e shpërnda Kuvendin aty dhe ku përfaqësoheni dhe me shku në zgjedhjet e reja që nënkupton se edhe për aty duhet një debat për datën e zgjedhjeve, Qeveria jo me jep dorëheqje se Qeveria është rahat me punën e vet”, tha Basha.

Sa i përket takimit me PDK-në, deputeti i VV-së tha se ky takim ka qenë për agjendën legjislative dhe ka theksuar shpresën për kalimin e njërës nga marrëveshje ndërkombëtare që kanë mbetur peng.

“Takimi nuk ka qenë veç me PDK-në, por ka qenë vetëm PDK-ja që ka marrë pjesë në këtë takim që e ka thirr Kryeministri bashkë me shefin e grupit parlamentar, takimi nuk ka qenë për zgjedhje, ka qenë për agjendën legjislative, kemi pasur një sërë marrëveshje ndërkombëtare që kanë mbetur peng, dy prej të cilave do të sjellën prap në Kuvend, uroj dhe shpresoj që të kalojnë të dyja, njëra prej tyre është shumë e rëndësishme, meqenëse njëra prej tyre është me shtetin danez, ku shteti danez ka kërkuar një favor prej shtetit tonë, dhe rrjedhimisht mendoj se duhet ta ndihmojmë momentin kyç për ta derisa e dimë që shteti danez ka qenë kyç për popullin shqiptarë në kohërat më të vështira”, përfundoi Basha.

Ndryshe, Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u mbajtën për herë të fundit më 14 shkurt 2021./Arbresh.info/ Rita Jakupi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme