Shoqëria civile në Serbi kërkon të pranohet gjenocidi në Srebrenicë

22:22 | 22 Maj 2024
E.G

Delegacioni serb ndodhet në Nju-Jork, ku po udhëheq një fushatë intensive kundër miratimit të rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës. Para se të nisej për në Nju-Jork, presidenti Aleksander Vuçiq kërkoi një bekim nga Patriarku Porfirije dhe iu lut Zotit, duke paralajmëruar se do t`i kundërshtojë akuzat se serbët janë komb gjenocidal. Por, nga Shoqëria Civile në Serbi kërkojnë nga autoritetet që ta pranojnë gjenocidin në Srebrenicë.

Organizatat e shoqërisë civile në Serbi u kanë bërë thirrje autoriteteve që ta pranojnë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, sepse bëhet fjalë për pranimin e fakteve në nivel global.

“Mohimi i gjenocidit është në qendër të fushatës kundër rezolutës së autoriteteve serbe së bashku me Milorad Dodik, prandaj nuk ka hapësirë në shoqërinë serbe për të diskutuar për pasojat e rezolutës, dhe si Serbia do të ndihmojë në gjetjen e personave të zhdukur nga gjenocidi në Srebrenicë, por edhe nga krimet e tjera të luftës në të gjithë ish-Jugosllavinë”, deklaroi Marko Millosavleviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd.

Nga Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, Jovana Spremo thotë se nuk duhet të mohohet gjenocidi në Srebrenicë.

“Rezoluta nuk ka fuqi ligjore por ka një detyrim politik dhe moral që të parandalohet çdo lloj mohimi të gjenocidit në Srebrenicë. Këtu nuk po flitet për fakte të reja, sepse gjenocidi është vërtetuar ligjërisht, mirëpo kjo rezolutë është një momenti i zgjedhur politik që, para 30 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të tregohet se ky lloj krimi nuk duhet të përsëritet”, deklaroi ndërkaq Jovana Spremo nga Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut.

Në rezolutë kërkohet dënimi i mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, që 11 korriku të shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, ndërsa në preambulën e Tekstit të Rezolutës thotë se përgjegjësia penale për gjenocidin është e individualizuar.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kishte karakterizuar krimin në Srebrenicë si gjenocid, aty thuhet se Serbia nuk ishte përgjegjëse për gjenocidin, porse ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme