Google ADS

Oficeri gjerman fillon dëshminë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

11:27 | 21 Maj 2024
R J

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Dietrich Klaus-Jensch, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në seancë e sotme pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Sarah Clanton.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja, u tha se Klaus-Jensch kishte drejtuar operacionin për të hyrë në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren për lirimin e të burgosurve dhe çarmatosjen e anëtarëve të UÇK-së.

“Dëshmitari 02540 u disklutua në Kosovë në qershor të ’99-ës si komandant i forcave gjermane që ishte pjesë e kontingjentit të KFOR-it. Dëshmitari me numër 02540 dhe njësiti i tij ishin të vendosur në Prizren dhe ndër detyrat e tyre ishte patrullimi dhe të trajtonin aspektet e sigurisë të cilat po i përjetonte popullata atje. Dëshmitari me numër 02540 ka qenë i pranishëm atje kur u bastisën ambientet që përdorte UÇK-ja. Në veçanti, më 18 qershor të 1999-ës ka qenë i pranishëm në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren, ku drejtoi një operacion për të hyrë në ndërtesë, për të liruar personat e ndaluar dhe për të çarmatosur anëtarët e UÇK-së që ishin të pranishëm, ka theksuar Clanton.

Prokurorja ka theksuar se dëshmitari pa persona të plagosur atje dhe kërkoi mbështetje mjekësore nga njësitet e KFOR-it, të cilët ofruan ndihmë për të lënduarit.

Në seancë, dëshmitari ka thënë se aktualisht është oficer i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dhe mban pozitën si kolonel-lejtnant. Ndërsa, ka theksuar se më 1999-ën, ka qenë major.

Klaus-Jensch ka deklaruar se ka dhënë deklaratë edhe për ish-Tribunalin për Jugosllavinë, ndërsa sipas prokurores, kjo deklaratë mban datën 30 tetor 2001.

Atij iu prezantuan disa fotografi në të cilat bëri identifikime, e që në njërën prej tyre tha se ishte një pjesëtar i UÇK-së.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth tetë orë e që dy prej tyre janë parashikuar për përfaqësuesit e ZPS-së dhe gjashtë orë të tjera për ekipet mbrojtëse./rtk

Të ngjashme