Google ADS

Mjegulla pengon kërkimet për helikopterin e rrëzuar të presidentit iranian

21:16 | 19 Maj 2024
D.H

Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar helikopterin në të cilin ka qenë presidenti iranian, Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian, i cili, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve iraniane, IRNA, ka pësuar “ulje të ashpër” në një mot me mjegull në teren malor, në veriperëndim të Iranit.

Qeveria iraniane ka thënë më 19 maj se helikopteri ku ka qenë presidenti, ka qenë vetëm një prej tre helikopterëve në një konvoj duke udhëtuar afër kufirit me Azerbajxhanin.

Dy helikopterët tjerë kanë ateruar në mënyrë të sigurt në qytetin e Tabrizit.

Televizioni shtetëror ka raportuar të ketë pasur kontakt me njërin pre pasagjerëve në helikopter, duke dhënë shpresa për situatën, por pa dhënë më shumë hollësi.

Ministria e Brendshme iraniane ka thënë se ekipet e shpëtimit po tentojnë t’i afrohen zonës, mirëpo po hasin në vështirësi, për shkak të motit të lig.

“Po presim për detaje tjera”, ka thënë ministri i Brendshëm, Ahmad Vahidi.

Janez Lenarcic, komisionar i Bashkimit Evropian për Menaxhim të Krizave, ka thënë se Irani ka kërkuar ndihmë, duke marrë parasysh situatën e vështirë.

Ai ka thënë se shërbimi satelitor i BE-së, Copernicus, është aktivizuar për të identifikuar më lehtë helikopterin.

Disa orë pas nisjes së kërkimeve, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka bërë thirrje për lutje.

“Lusim Zotin të kthejë presidentin dhe ekipin e tij në përqafimin e kombit. Të gjithë duhet të luten për ta. Populli i Iranit nuk duhet të shqetësohet. Punët e shtetit nuk do të ndërpriten”, ka thënë ai.

Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është duke vëzhguar “nga afër raportimet për mundësinë e uljes së ashpër të helikopterit në Iran, në të cilin janë presidenti dhe ministri i Jashtëm iranian”.

Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se të gjitha vendet e Bashkimit Evropian janë duke vëzhguar nga afër zhvillimet në Iran.

Presidenti iranian ka qenë duke udhëtuar në Azerbajxhanin Lindor, provincë iraniane.

Televizioni shtetëror ka thënë se incidenti ka ndodhur afër Xholfas, qytetit në kufi me shtetin e Azerbajxhanit, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit iranian, Teheranit.

Në atë zonë është raportuar për shira të rrëmbyeshëm dhe erë të fortë.

Raisi ka qenë në Azerbajxhan të dielën, për të inauguruar një digë, bashkë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Kjo digë është e treta që ndërtojnë dy vendet mbi lumin Aras.

“Sot, pasi u përshëndeta me presidentin e Republikës Islamike të Iranit, Ebrahim Raisi, jemi tronditur nga lajmet që një helikopter ku ka qenë delegacioni i lartë është ulur ashpër në tokë në Iran”, ka thënë Aliyev.

“I lutemi Zotit për presidentin Ebrahim Raisi dhe delegacionin shoqërues. Si fqinj, miq dhe shtete vëllazërore, Republika e Azerbajxhanit është e gatshme për të ofruar ndihmën e nevojshme”.

Armenia dhe Iraku janë shprehur, po ashtu, të tronditura me lajmin dhe kanë thënë se janë të gatshme të ndihmojnë.

Irani ka disa helikopterë, mirëpo sanksionet ndërkombëtare e vështirësojnë ndërrimin e pjesëve të tyre.

Flota ushtarake ka pajisje që datojnë prej periudhës para Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Raisi, 63-vjeçar, është zyrtar i linjës së ashpër, që paraprakisht ka udhëhequr sektorin e gjyqësorit.

Ai është i afërt me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe disa analistë sugjerojnë se ai mund të zëvendësojë liderin 85-vjeçar, pas vdekjes së tij, apo heqjes dorë nga pushteti.

Raisi i ka fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, proces që është konsideruar me daljen më të ulët të popullit në historinë e Republikës Islamike.

Raisi është i sanksionuar prej Shteteve të Bashkuara për përfshirjen e tij në ekzekutimet masive të mijëra të burgosurve politikë më 1988, në fund të luftës së përgjakshme Iran-Irak.

Nën udhëheqësinë e Raisit, Irani tani pasuron uranium në nivele të larta dhe shmang inspektimet ndërkombëtare.

Iran armatos Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, si dhe ka nisur sulm masiv me dronë dhe raketa kundër Izraelit këtë vit, për luftën e nisur kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej SHBA-së dhe Bashkimit Evropian – në Rripin e Gazës.

Teherani, po ashtu, vazhdon të armatosë rrjetëzimet e veta në Lindje të Mesme, sikurse rebelët Huthi të Jemenit dhe Hezbollahun e Libanit.

Të ngjashme