Sindikata e Policisë e shkarkoi, Zeqiri: “Puç” i përgatitur prej kohësh

18:18 | 19 Maj 2024
E.G

Imer Zeqiri ka reaguar pas vendimit të Kuvendit të Përgjithshëm për shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Zeqiri me anë të një reagimi publik është shprehur se nuk ishte i informuar për këtë takim, e që sipas tij kjo është bërë qëllimisht, shkruan Arbresh.info.

Po ashtu, ai shtoi se në komunikatën ku u konfirmua vendimi për shkarkimin e tij nuk janë përmendur as arsyet.

“Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj”, është shprehur më tutje Zeqiri.

Ai shprehet se do të pranonte çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së.

“Por, jo kështu pas shpine”, shton ai.

Reagimi i plotë:

Sot më datë 19.05.2024, unë si Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, nga mediat kuptova se është mbajtur takim i Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj sindikate ku qenka vendosur për shkarkimin tim.

Unë nuk kam qenë i njoftuar për një takim të tillë, i bërë qëllimisht për të pamundësuar pjesëmarrjen time, dhe si i tillë është në kundërshtim me Statutin, si akti më i lartë juridik i Sindikatës së Policisë së Kosovës si dhe në kundërshtim me parimet etike e fisnike për një strukturë të tillë.

Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë.

E lexova komunikatën e lëshuar dhe është e habitshme se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin tim. Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike?

Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi. Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?!

Në një proces të rregullt me prezencën time, do ta pranoja çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, jo kështu pas shpine. Takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme.

Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj.

Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim.

I falënderoj anëtarët e sindikatës dhe pjesëtarët e policisë për shumë mesazhe e thirrje përkrahëse që më kanë bërë këto ditë./Arbresh.info/

Të ngjashme