Krasniqi pas dështimit në KiE: Rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit evropian i paalternativë

17:29 | 17 Maj 2024
E.K

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se sot është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët e saj pasi sot dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Europës.

Krasniqi ka thënë se në vend se të konkretizohej një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë e Kosovës, e për çfarë është punuar gjatë, “sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë”.

“Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai ka thënë se qasja në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të
Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.

Ai ka theksuar se shkuarja në zgjedhje të parakohshme është e domosdoshme pasi sipas tij këtij pushteti sot zyrtarisht i ka humbur legjitimiteti.

“Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i paalternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur. Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre”, ka theksuar ai.

Të ngjashme