Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, apelon te Kosova që të bëjë gjithçka është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE.
Berlini pret që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE): “Vjeshtën e kaluar, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ua paraqiti qeverive të Kosovës dhe Serbisë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (ASMM), të cilin ai e koordinon. Ky draft-statut merr parasysh të gjitha vijat e kuqe të përcaktuara nga ligji kushtetues i Kosovës”, thuhet në një përgjigje që Ministria e Punëve të Jashtme i dërgoi DW-së të enjten, më 16 maj, në mbrëmje. “Qeveria gjermane është e mendimit se një shumicë prej 2/3 në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për aplikimin e Kosovës për anëtarësim do të sigurohej, nëse qeveria Kurti do të dorëzonte këtë draft në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim para mbledhjes së Komitetit të Ministrave. Pasi të ndërmerret ky hap, një votim në Komitetin e Ministrave mund të vendoset në rendin e ditës me një perspektivë të arsyeshme për një shumicë prej 2/3 midis shteteve anëtare që kanë të drejtë vote. Qeveria gjermane po e mbështet Kosovën në përmbushjen e të gjitha parakushteve për pranimin në Këshillin e Evropës”, thuhej në përgjigje.
Përgjigja vjen pasi qeveria e Kosovës kishte dërguar në Sekretariatin e Këshillit të Evropës një letër, ku informohej se po përgatiste një draft-statut mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim. Tre vendet e QUINT-it, Gjermania, Franca dhe Italia, kërkojnë nga Kosova që të bëjë hapa përpara në këtë pikë kaq të diskutuar në kuadër të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Ndryshe nga draft-statuti i kërkuar nga BE, në letrën e firmosur nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, bëhej fjalë për draft-statutin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert, i cili bazohet kryesisht në propozimin fillestar franko-gjerman.
Baerbock apelon te Kosova
Më parë, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, apeloi te Kosova që të bëjë çfarë është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE. “Kosova duhet të hyjë në Këshillin e Evropës,” tha Baerbock. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe atyre që janë përgjegjës në Kosovë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të arrijmë shumicën e nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë.”
Ngjashëm u shpreh edhe Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës: “Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për të luajtur një rol në këtë, dhe këtë e ka bërë edhe përmes një letre dërguar për çështjen e pakicave serbe dhe Asociacionit të Komunave,” tha ai. Por deputeti socialdemokrat i dha si porosi ministres para nisjes për në Strasburg, ku do të merrte pjesë në Ministerialin vjetor, që të mos harrojë rezultatin e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Më shumë se 80% e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës. Partia Socialdemokrate dhe partitë e koalicionit qeveritar e mbështesin këtë anëtarësim, prandaj Kosova duhet të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës.”
Shkon në 11 numri i të vdekurve në Magdeburg, reagon kancela...
Man United mund ta transferojë falas yllin e Barcelonës gjat...
Parashikimi i motit për vikend
Gjermani/ Një person hyn me makinë në tregun e Krishtlindjev...
FBI-ja po e heton sulmin në Ibër-Lepenc
Hovenier: Misioni si ambasador i ShBA-së në Kosovë, ishte nd...