Vuçiq takon O’Brien, diskutojnë për dialogun dhe formimin e Asociacionit

15:39 | 16 Maj 2024
K.B

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Euro-Aziatike, James O’Brien, në margjinat e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Kotorr të Malit të Zi.

Vuçiq ka njoftuar se kanë diskutuar për marrëdhëniet dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

“Takimin me Jim O’Brien e shfrytëzova për të shkëmbyer mendime për situatën aktuale rajonale dhe gjeopolitike, progresin në procesin e afrimit të Ballkanit Perëndimor dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së”, ka shkruar presidenti serb në Instagram.

Vuçiq ka falënderuar SHBA-në, për mbështetjen e reformave dhe rrugës evropiane të të gjithë rajonit, e cila, para së gjithash, do të reflektohet në mundësi të reja dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Serbisë.

Temë e diskutimit të tyre, ishte edhe Kosova, ku tha se nuk u pajtuan për shumicën e çështjeve.

“Edhe pse nuk u pajtuam për shumicën e çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën Serbia e vlerëson përfshirjen e SHBA-së kur bëhet fjalë për insistimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog dhe para së gjithash formimin e Asociacionit”, tha Vuçiq./Arbresh.info/

Të ngjashme