A ekziston mundësia e një “martese” mes PDK dhe Vetëvendosjes?

13:42 | 16 Maj 2024
K.B

Të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ftoi të gjithë krerët e partive opozitare në një takim.

Përgjigje pozitive këtij takimi i dha vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në krye me Memli Krasniqin.

Në këtë takim Kurti pretendonte se do diskutohej rreth agjendës legjislative, ndërsa Krasniqi për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi u mbajt në pasditen e së hënës në një nga hotelet luksoze të kryeqytetit.

Bashkë me Kurtin e Krasniqin, ishin edhe Mimoza Kusari-Lila dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Nga fotografitë e publikuara brenda këtij takimi, situata dukej mjaft relaksuese.

Madje, në internet u komentua edhe shikimi i veçantë i Tahirit ndaj Kurtit.

Pas takimit, Krasniqi para mediave ka treguar se cilat ishin pikat e diskutimit në takimin me Kurtin.

“Kemi pasur diskutime konsideroj të mira. Sa i përket Kuvendit edhe Ligjit në Kuvend, kemi diskutu edhe për ato. Zgjedhjet nuk janë dëshirë e jona, janë nevojë e vendit. Andaj këto ishin edhe thelbi i diskutimit që pata sot. Unë do të ruaj korrektësinë, i kam propozu edhe më herët më vjen keq që data 9 qershorit është jashtë kornizave. Besoj që ka ende data që janë brenda kësaj kornize kohore që shpresoj të kemi dakordim”, tha Krasniqi,

Krasniqi po ashtu kishte treguar edhe arsyet pse ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit për takim.

“Unë kam ardhur në këtë takim, duke besu se interesi i qytetarëve të Kosovës është me u marrë me tema që u interesojnë atyre, jo ato që u interesojnë ambasadave. Duhet të kthehemi tek qytetarët, sepse 200 mijë qytetar kanë ikur se këtu nuk kanë gjetur një jetë të mirë”, ishte shprehur Krasniqi.

Në anën tjetër, përmes një njoftimi për media Zyra e Kryeministrit kishte bërë të ditur se temë qendrore e diskutimit ishte mbarëvajtja e punës së Kuvendit dhe përmbushja e agjendës legjislative në Kuvend për sesionin pranveror, përkatësisht votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Janë 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar, e për çka nevojiten 2/3-tat e deputetëve në Kuvend.

Ndërkohë, dy ditë pas takimit, kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza mbajti konferencë për media.

Hamza bëri të ditur se PDK do t’i votojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

“PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për ne, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta. Fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisë politike dhe në fundi i yni si individë brenda partisë politike, por mbi të gjitha e përtej të gjithave interesi i qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht, Kosova është nën masa, nën sanksione dhe janë qindra miliona euro të bllokuara”, u shpreh Hamza të mërkurën para mediave.

Zbutja e PDK-së përballë ekzekutivit ka hapur dyshime se mund të ketë një koalicion mes partisë së Memli Krasniqit dhe Vetëvendosjes së Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme.

A ekziston mundësia për një “martesë” mes PDK dhe Vetëvendosjes, mbetet të shihet./Arbresh.info/

Të ngjashme