Hamza: PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

15:41 | 15 Maj 2024
K.B

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka njoftuar se Grupi Parlamentar i PDK-së do të votojë pro marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Hamza, në një konferencë për media tha se ky ishte propozim i tij, që është mbështetur nga Grupi Parlamentar dhe Kryesia e partisë, sepse votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do të sjellë më shumë investime në Kosovë, përcjell Arbresh.info.

“Falënderoj Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, që kanë përkrahur qëndrimin tim të bërë publik para shumë kohësh dhe së fundmi me datën 4 prill në një studio televizive – votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për ne, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta. Fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisë politike dhe në fundi i yni si individë brenda partisë politike, por mbi të gjitha e përtej të gjithave interesi i qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht, Kosova është nën masa, nën sanksione dhe janë qindra miliona euro të bllokuara”, shtoi ai.

Hamza tha se për këtë arsye duhet të kthehet optimizmi te qytetarët dhe të krijohet klima e mirëbesimit nga investitorët ndërkombëtarë për të krijuar vende të reja pune dhe përmirësim të standardit të jetesës.

“Siç e dini standardi i jetesës së qytetarëve tanë është rënduar viteve të fundit si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve, e cila nuk ka qenë e përcjellur me ngritjen e të ardhurave. Këto trende duhet të ndalohen, duhet të punojmë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë. Përndryshe do të vazhdojmë të ballafaqohemi me rrezikun më të madh që ka Kosova, e që është emigracioni. Nëse e humbim fuqinë punëtore, kapitalin, vajzat, djemtë e rinj, burrat, gratë, personat e kualifikuar, atëherë ky do të jetë një dëm i madh për vendin”, theksoi i nominuari i PDK-së për kryeministër./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme