Google ADS

Kupa e Italisë, Juventus dhe Atalanta gati për sfidën e madhe

10:21 | 15 Maj 2024
KRG

Ka nisur Countdown për finalen e Kupës së Italisë, Atalanta – Juventus që luhet në Olimpico dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në orën 21:00 në SS2, me pritshmërinë që rritet me afrimin e vërshëllimës së startit.

Në eventin e madh Juve dhe Atalanta vijnë me ndjesi, gjendje dhe shpirt diametralisht të kundërt, por edhe me një bagazh eksperience dhe palmares trofesh shumë të ndryshëm. Pasi preku fundin në pjesën e parë ndaj Salernitanës skuadra e Allegrit blindoi pjesëmarrjen në Champions vetëm falë fitores së Atalantës ndaj Romës dhe tani mund të përqëndrojë gjithë forcat te shansi i fundit i mbetur për të fituar një trofe në këtë sezon të komplikuar.

Mes kampionatit dhe Kupës së Italisë bardhezinjtë nuk fitojnë që nga prilli dhe në 6 ndeshjet e fundit kanë sigluar një humbje dhe 5 barazime, sigurisht një kartvizitë jo dhe aq e mirë për finalen. Por, Juventusi është Juventusi dhe Allegri do të provojë gjithçka për të nxjerrë në pah krenarinë e grupit.

Për sa i përket gjendjes së grupit, Danilo dhe Alex Sandro mund të jenë në dispozicion, më e komplikuar situata e Yildiz. Bardhezinjtë mund të rreshtohen me 3-5-2 me Vlahovic e Chiesa në udhëheqje të sulmit, McKennie Rabiot e Miretti në regji dhe Cambiaso e Kostic nga krahët.

Para Perin, në mbrojtje mund të jenë Gatti, Bremer dhe Danilo, një përzierje eksperience dhe forcash të freskëta për të goditur Atalantën.

Juventus padyshim nuk do ta kenë të lehtë të shënojë përballë një Atalante që po bën një sezon të jashtëzakonshëm dhe është gati të certifikojë kualitetin që disponon me Kupën e Italisë por edhe Europa League, dhe ku një ndër liderët e padiskutueshëm të ekipit është dhe kapiteni i kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti.

Duke patur parasysh gjendjen aktuale zikaltërit shkojnë në Romë përballë Juventusit me statusin e skuadrës favorite, edhe pse euforia e periudhës së fundit mund t’i bëjë një shaka të hidhur bergamaskëve, të paktën në aspektin emocional.

Në planin e lojës, të presingut dhe të agresivitetit në hapësira skuadra e Allegrit do ta ketë të vështirë të përmbajë furinë zikaltër. Në krahasim me ndeshjen e fituar me Romën, Gasperini në finale nuk do të ketë në dispozicion të skualifikuarin Scamaça, por para mund të besojë te një De Ketelaere i papërmbajshëm me Koopmeiner dhe Lookman, pas do t’i takojë sërish Gjimshitit, Hien dhe Scalvini edhe pse mbetet edhe opsioni De Roon i tërhequr me Pasalic në mesfushë bashkë me Ederson, Zappacosta dhe Ruggeri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme