Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ku mes të tjerash është shprehur se është i interesuar që të diskutojë lidhur me datën e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.
Në një darkë mes tyre u diskutua edhe për afatet e mundshme të zgjedhjeve të reja, Krasniqi i do në “javët e ardhshme”, Kuri përmendi pranverën ose vjeshtën.
Deliu-Kodra: Zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra në një prononcim për Arbresh.info tha se takimi i mbrëmshëm e ka pasur qëllim që t’i hap rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas saj, zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri.
“Fatkeqësisht, jeta e qytetarëve të vendit është duke u vështirësuar çdo ditë e më shumë. Çmimet janë rritur ndërkohë që pagat kanë mbetur të njëjta. Përballë kësaj gjendje, kemi një qeveri e cila është spektatore dhe nuk po ndërmerr asnjë hap. Prandaj, në një gjendje si kjo, zgjedhjet janë të pashmangshme, zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri. Prandaj, edhe takimi i mbrëmshëm ka pasur këtë qellim, qe t’i hap rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare dhe për shpërndarjen e kësaj legjislature”, u shpreh ajo.
Sipas analistit, Visar Xani tema për zgjedhjet në takimin Kurti-Krasniqi duket pak e çuditshme, sepse siç tha ai, kësaj qeverie i kanë mbetur më pak se gjashtë muaj deri në përfundimin e mandatit.
Xani për Arbresh.info tha se zgjedhjet mund t’i kemi 2-3 muaj më herët por jo edhe më herët se kaq për shkak të procedurave.
Ai vlerësoi se mund të ketë nevojë për një qeveri të re për shtyrjen përpara të agjendave diplomatike.
“Por meqë po ka telashe në shtyrjen përpara të agjendës diplomatike, mbase ka nevojë për një qeveri të re por edhe ajo qeveria e re kur të vjen pas këtyre zgjedhjeve nuk do të ketë punën ku e len kjo qeveri për shkak se do të ketë zgjedhje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE dhe nuk e dimë nëse faktori ndërkombëtar do të ketë të njëjtin vizion të dialogut”, tha ai.
Ai komentoi edhe mospjesëmarrjen e LDK-së dhe AAK-së duke thënë se partitë opozitare në fjalë mund të mos jenë gati për zgjedhje të reja.
“Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së LDK-së dhe AAK-së më duket pak e çuditshme që çdo takim konsultativ nuk duhet të refuzohet qofshin qëndrime pro ose kundër do të duhej të uleshin në tavolinë dhe mund të jetë edhe ana tjetër që nuk janë gati ende për zgjedhje ose mendojnë që efektin tjetër që duhet t’i kemi zgjedhjet e rregullta” , u shpreh Xani.
Ndërkaq, sa i përket fituesit, analisti Xani tha se kjo varet shumë nga zhvillimet diplomatike dhe ato të brendshme.
Megjithatë, ai vlerësoi se nuk mund të ketë lëvizje të madhe nëse partitë opozitare vazhdojnë të jenë pa konsensus dhe qëndrime të qarta.
“Prandaj është një diferencë tepër e madhe nga zgjedhjet e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë së dytë, gjithsesi mund të ketë lëvizje por nuk mund të llogaritim pra, nuk mund të ketë lëvizje të madhe nëse vazhdojnë partitë opozitare të jenë pa konsensus dhe pa qëndrime të qarta“, tha Xani për Arbresh.info.
Edhe analisti politik, Dritëro Arifi tha se tema e zgjedhjeve ka qenë më e rëndësishmja e këtij takimi.
“Normalisht po vihet re në një farë mënyre nuk ka ndonjë reformë serioze brenda partive politike as te Vetëvendosja sepse realisht ky takim nuk do të duhej të ishte publik përveçse nëse dëshirojnë të shkojnë shumë shpejt në zgjedhje sepse realisht nëse ka seriozitet do të duhej të takoheshin në një mënyrë bilaterale ku nuk do të duhej të ishte prezenca e gazetarëve dhe publikut deri sa nuk do të kishte ndonjë marrëveshje. Pra për tu takuar dhe sa për të thënë diçka e cila është vështirë të mund të realizohet dhe kjo po më duket joserioz.”, tha mes të tjerash ai.
I pyetur nëse priten zgjedhje në kohën më të afërme, Arifi tha se kjo varet nga disponimi i partive opozitare.
Sipas tij, në opozitë ka zëra të ndryshëm mund të jenë pro dhe kundër lidhur me mënyrën se si të shkohet në zgjedhje për “çështje të inateve”
“Po vihet re që një pjesë e opozitës nuk janë të gatshëm që të shkojnë në zgjedhje po themi në qershor dhe kjo mund ta dëmtojë pak procesin e zgjedhjeve të parakohshme kështu që mbetet pikëpyetje se si do të organizohet e gjitha sepse ka shumë paqartësi se çka kanë biseduar saktësisht dhe çka thanë është prapë e paqartë mënyra dhe metoda se si të shkohet në zgjedhje.”, tha ai.
Se kush mund të jetë fitues, Arifi tha se është e vështirë të thuhet tash, kjo sepse siç tha ai, që nga caktimi i datës së zgjedhjeve dhe mbajtjes së tyre janë dy momentume të cilat mund të ndryshojnë mënyrën e fitores.
“Mund të kemi fitore por nuk mund të besoj që më do të kemi zgjedhje siç ka ndodhur në vitin 2021 ku janë fituar 51% , besoj që ai momentum nuk do të ndodhë edhe për një kohë shumë të gjatë, pavarësisht kush do të zgjedhë partinë më të fortë më duket do të jetë jo relevantë sepse kanë ndryshuar shumë gjëra edhe brenda edhe jashtë Kosovës.”, u shpreh ai.
Ndërkaq për mospjesëmarrjen e dy partive të tjera opozitare LDK dhe AAK, analisti Arifi tha se refuzimi është legjitim, sepse siç u shpreh ai, është çështje e vendimeve partiake.
Megjithatë, Arifi vlerësoi se kanë të drejtë edhe pse sipas tij, do të duhej të takoheshin gjithmonë me kryeministrin duke shtuar se mënyra se si e ka bërë publike takimin, është pak nënçmuese.
AAK dhe LDK kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit:
Pas takimit, ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ai ka thënë prapa nismës për shpërbërjen e Kuvendit, qëndron kryeministri Albin Kurti.
Haradinaj shtoi se AAK e mbështet shpërbërjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes ose shkarkimit të Kurtit.
“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij.”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërkaq, LDK-ja me anë të një reagimi ka kërkuar dorëheqjen e Kurti dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit.
“LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë “Rrugën e Re” si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik. Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave.”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Krasniqi: Të mblidhemi sa ma parë të gjithë liderët, të vendosim datën e zgjedhjeve
Për takimin me kryeministrin, Albin Kurti kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar edhe përmes një postimi në Facebook.
Ai ka kërkuar që të gjithë liderët e partive politike dhe parlamentare të mblidhen për caktimin e datës për zgjedhjet e reja, teksa ka theksuar se PDK është gati.
Krasniqi ka theksuar se për interes të shtetit është gjithmonë i gatshëm për takime dhe bisedime./Arbresh.info/Erolinda Gashi/
Aksident me vdekje në Bulqizë, makina del nga rruga
Drenusha: Kam hyrë beqare, mund edhe të dashurohem
Man United ‘kontakton’ yllin e Real Madridit – duan ta bëjnë...
Bislimi në takim me ministrin për Bashkimin Evropian të Polo...
Arrestohet një person në Zveçan pasi i gjenden armë në shtëp...
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëb...