Tirana mirëpret për herë të dytë brenda pak muajsh Ministerialin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në kuadër të Procesit të Berlinit. Në fokus të kësaj konference ndërministeriale është “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset Migratore përmes Ballkanit Perëndimor”.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij tha se menaxhimi i flukseve migratore është një çështje ku të gjitha vendet “mund dhe do të bashkëpunojnë ngushtë”.
“Asnjë vend në rajonin tonë nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e migracionit të paligjshëm dhe kjo Konferencë sot nënkupton angazhimin tonë të përbashkët për zgjidhjet bashkëpunuese në këtë drejtim”, tha Balla.
Sipas ministrit Balla, në vitet e fundit, Shqipëria bashkë me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët. Konferencën e organizuar këtë të martë ai e sheh si dëshmi të vullnetit të palëkundur të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të bashkëpunuar në drejtim të zgjidhjes së sfidave të emigracionit.
“Në vitet e fundit, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët tanë, siç janë marrëveshjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për lëvizjen e lirë, si dhe duke përballuar flukset migratore, nëpërmjet parandalimit të migracionit të parregullt me fokus sigurinë e kufijve por edhe respektimin e dinjitetit njerëzor të migrantit. Kjo Konferencë, e dyta në një hark kohor prej 6 muajsh, është dëshmi e vullnetit të palëkundur të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të bashkëpunuar në drejtim të adresimit të sfidave të migracionit”.
Ministri Balla theksoi ndër të tjera se Shqipëria e ka prioritet mbarëvajtjen sa më qetë dhe të sigurt të sezonit turistik duke qenë se mbetet prioritet për ne. Sipas tij, vendet duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku, të ndajnë informacione dhe të koordinojnë përpjekjet në mënyrë që shtetet të jenë një hap përpara atyre që cënojnë sigurinë. Këtu ai përmendi bashkëpunimin me FRONTEX.
“Përmes partneritetit me FRONTEX, ne kemi arritur të rrisim ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare, të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar. Ky bashkëpunim ka lejuar jo vetëm një vëzhgim më të mirë të kufijve, por edhe një përgjigje më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj çdo lëvizje të dyshimtë. Strukturat e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë kanë punuar me përkushtim dhe këmbëngulje për parandalimin, identifikimin dhe adresimin e fenomenit të migrimit të parregullt ku përfshihen qytetarë nga vendet e përfshira në konflikt dhe më gjerë. Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023”, tha Balla.
Sipas ministrit Balla, e domosdoshme është edhe mbështetja nga partnerët europianë për ndërtimin e sistemeve të shkëmbimit të informacionit, veprimeve të përbashkëta dhe analizës së riskut për të monitoruar kufijtë në formë efektive dhe kontrolle të krimeve të kalimit kufitar.
Në takimin e sotëm, përgjatë diskutimeve në nivel politik dhe në nivel teknik, ministrat e Brendshëm dhe specialistë të nivelit të lartë do të diskutojnë mbi menaxhimin e integruar të kufijve e flukseve migratore, si dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal e më gjerë në luftën kundër krimit të organizuar./tvklan.al
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...