Google ADS

Rezoluta anti-korrupison e paraqitur nga Rama, BE e mirëpret dhe mbështet çdo propozim që çon në avancimin e reformave

21:18 | 13 Maj 2024
E.H

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka reaguar në lidhje me rezolutën anti-korrupsion të paraqitur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama të martën e kaluar.

Në komentin e dhënë, delegacioni i BE-së thekson se mirëpret dhe mbështet çdo propozim që çon më tej avancimin e reformave për shtetin e të drejtës në vend.

Gjithashtu në reagimin për euronews.al theksohet se çdo veprim nuk duhet të cënojë parimin e pakthyeshmërisë së reformës të ndërmarrë në vitin 2016.

Delegacioni i BE nënvizon se nisma duhet të jetë në përputhje me angazhimet që Shqipëria ka ndërmarrë për të avancuar në procest integruese.

REAGIMI i PLOTË I DELEGACIONIT TË BE-së:

Delegacioni i BE-së mirëpret çdo nismë për të çuar më tej proceset e arritjeve të reformave të Shqiperisë për qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe antikorrupsionin, duke u mbështetur te reformat dhe arritjet e mëparshme, si dhe në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit.

Ne theksojmë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.

Për sa i përket sektorit të drejtësisë, vërejmë se parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016.

Theksojmë se është me rëndësi jetike që procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, përfshirë edhe shoqërinë civile.

Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, BE-ja po ofron ndërkaq asistencë të madhe për Shqipërinë në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, si dhe është e gatshme të rrisë mbështetjen e vet, sipas rastit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme