Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Teksas, ka zhvilluar një sërë takimesh me kryetar qytetesh. Ajo ka takuar kryetarin e qytetit Lewisville, TJ Gilmore, kryetarin e qytetit Wylie, Mathew Porter, si dhe kryetarin e qytetit të Dallasit, Eric Johnson. Në fokus të diskutimeve me të ishin mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me qytetet e Kosovës, si dhe për rolin e mërgatës shqiptare atje.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Teksas, ka takuar kryetarin e qytetit Wylie, Mathew Porter.

Presidenca ka njoftuar se në një ceremoni të mbajtur Collin County, presidentja Osmani para anëtarëve të Këshillit të Qytetit, nxënësve dhe mërgatës shqiptare ka mbajtur një fjalim për rëndësinë e raporteve të Kosovës më SHBA-të.

“Kryetari Porter në shenjë miqësie ia ka dhuruar presidentes Osmani flamurin e Teksasit, ndërkaq Presidentja ia ka dhuruar atij flamurin e Kosovës. Në këtë ceremoni është përuruar pllaka me emrin e Nënë Terezës, propozim të cilin e ka bërë këshilltari i qytetit me prejardhje nga Peja, Gino Mulliqi. Emrin e humanistes dhe shenjtores shqiptare do ta mbajë një nga rrugët në rajonin Collin County”, thuhet në njoftim.

Osmani në takimin me mërgatën, ka takuar kryetarin e qytetit Lewisville, TJ Gilmore.

“Në fokus të diskutimeve me të ishin mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me qytetet e Kosovës, si dhe për rolin e mërgatës shqiptare në këtë qytet, të cilët aktivitetin e tyre e zhvillojnë në kuadër të Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Republikës në Teksas ka takuar kryetarin e qytetit të Dallasit, Eric Johnson, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, duke përfshirë zhvillimin ekonomik, tregtinë, investimet, inovacionin, binjakëzimin e qyteteve dhe fusha të tjera me interes të dyanshëm.

Gjithashtu, presidentja Osmani gjatë vizitës zyrtare në Teksas ka takuar një grup nxënësish dhe mësimdhënësish nga “Imagine International Academy”, të cilët ndër vite kanë grumbulluar donacione për eliminimin e minave në Kosovë.

Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me organizatën HALO Trust, duke u fokusuar në heqjen e minave të vjetra tokësore në Kosovë

Në takim me ta, presidentja Osmani i ka falënderuar për kontributin dhe në shenjë mirënjohjeje ua ka ndarë një mirënjohje./rtk