Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ka hyrë në fuqi nga 3 prill i këtij viti, nuk e parasheh ndalimin e qarkullimit të veturave me xhama të errësuara.
Në asnjë nen apo paragraf të këtij ligji nuk ceket kjo çështje.
Ndesh me këtë ligj po bie akti i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), i cili vazhdon të jetë në fuqi deri në aktin e ri.
Sipas këtij akti, errësimi i xhamave të veturave me foli është e ndaluar dhe gjobitet, përveç nëse xhamat në mjet janë të errësuar nga fabrika ose kur përcaktohet me vendim të MPB-së.
Ndërkohë, në Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 257 Aktet nënligjore pika një thuhet se “ Autoritetet kompetente në afat prej 6 muajsh nga dita e hyrjes në fuqi e këtij Ligji, nxjerrin aktet nënligjore për zbatimin e tij.
Ndërsa, pika dy e këtij neni qartëson se të gjitha aktet respektohen, derisa nuk bien ndesh me ligjin e ri.
“Aktet nënligjore që janë në fuqi, vazhdojnë të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve të reja, me kusht që të mos jenë në kundërshtim me këtë ligj”, thuhet në pikën dy të nenit 257 të Ligjit të ri.
Portali Arbresh.info ka kërkuar sqarime nga policia nëse pas futjes në fuqi të ligji të ri për komunikacionin, po ndalohen veturat me xhama të errësuara.
Zyrtarë të këtij institucioni janë përgjigjur shkurt, duke përmendur Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se përdorimi i xhamave të zi në automjete është i rregulluar me Ligjin e ri Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Errësimi i xhamave të veturave, njohësi i komunikacionit: Policia nuk ka të drejtë t’i gjobisë qytetarët
Në anën tjetër, njohës të komunikacionit dhe çështjeve të sigurisë në vend, theksojnë se policia duhet të zbatojë Ligji e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, dhe jo aktin e Ministrisë së Brendshme
Sipas ekspertit të komunikacionit, Bekim Ahmeti pasi çështja e errësimit të xhamave nuk është cekur askund në ligjin e ri, policia nuk ka asnjë të drejtë t’i gjobisë shoferët.
“Nuk ka askund që shkruan që ndalohet me anë të ligjit përdorimi i xhamave të zinj në vetura. Praktikisht aty ku nuk ndalohet, de-facto lejohet. Thënë ndryshe, Policia e Kosovës, zyrtarisht nuk ka të drejtë t’i gjobisë qytetarët, të cilët posedojnë xhama të zinj në veturat e tyre. Nuk është e drejt që policia të gjobisë me anë të aneksit të ligjeve kur ligji i ri veç sa ka hyrë në fuqi dhe ishte dashur saktësisht të parashihet se a duhet të dënohet për bartjen e xhamave”, thotë Ahmeti .
Zgjidhja më e mirë që mund të bëhet në këtë rast, sipas tij, është krijimi i një aneks-ligji që arsyeton ligjin në fjalë.
“Këta është dashur të dalin me një aneks-ligj, apo me një pjesë shtesë të ligjit ku e arsyetojnë mungesën e ligjit në fjalë që është aprovu së fundi. D.m.th. është dashur të parashihet se a lejohet të gjobiten apo jo. Arsyeja është se në ligj nuk ka bazë dhe nuk ekziston dhe krijon një vakum mes këtyre dy ligjeve”, thotë Ahmeti.
I të njëjtit mendim qëndron edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.
Sipas tij, nëse ligji nuk e ndalon errësimin e xhamave dhe akti aktual i MPB-së po, atëherë respektohet ligji.
“Situata në bazë të legjislacionit në fuqi tani ka krijuar një dis-harmoni në mes akteve të tjera ligjore që nuk janë përputhje me ligjin, ku këto akte bien ndesh në bazë të sistemit juridik që ka Republika. Prandaj, organi që duhet të zbatojë ligjin dhe aktin në fjalë do të duhej t’i referohet ligjit si shtyllë e vetme për të argumentuar dhe zbatuar ligjshmërinë brenda procedurës juridik me të cilën funksionon policia”, thekson Shala për Arbresh.info.
Ndryshe, gjoba që u është shqiptuar shofereve të cilët kanë drejtuar mjetin me xhama të errësuar deri para hyrjes në fuqi të ligjit të ri, ishte 40 deri 60 euro si dhe shoferët janë detyruar të largojnë foljet apo çfarëdo materiali që kanë pasur për errësim të xhamave.
Ligji i ri ka për qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronës së pjesëmarrësve në trafik si dhe parasheh masa më të ashpra ndëshkuese për kundërvajtësit./Arbresh.info/E.H
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...