“Çudirat” që u panë në vizitën e Xi Jinping në Hungari

22:32 | 10 Maj 2024
R J

Presidenti kinez Xi Jinping e përfundoi turin evropian me një vizitë në Hungari, ku zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë hungarezë, përfshirë kryeministrin Viktor Orban, shkruan “Politico”.

Në ditën e fundit të vizitës [e premte], Orbani shtroi drekë ku morën pjesë bashkëshortja e tij Aniko Levai dhe Xi Jinpingu me bashkëshorten Peng Li-yuan.

Me atë rast, gazetarët patën mundësinë t’i bëjnë Orbanit dhe Xi-së disa pyetje. Një nga to ishte për protestat anti-Kinë të organizuara në Budapest gjatë vizitës së presidentit kinez. Disa aktivistë vendosën flamurin e Tibetit përballë restorantit ku po hanin drekë Orbani me Xi-në. Por policia reagoi shpejt, duke hequr flamurin tibetianë dhe duke e vendosur atë të Kinës.

“Është debat i vjetër. Qëndrimi i qeverisë hungareze është i qartë. Në shtëpi ka liri të shprehjes, por të ftuarit që vijnë kanë të drejtë të jenë mysafirë. Këto dy të drejta duhet të harmonizohen. Ne nuk do të lejojmë që vlerat e të ftuarve që vijnë këtu të shkatërrohen. Protestat dhe mikpritja duhet të jenë të ndara në hapësirë nga njëra-tjetra”, ka thënë Orban.

Ajo që është interesante është se protestuesit tibetianë u shpërndanë nga policë kinezë, të cilët ishin me rroba civile duke kryer detyrën e sigurimit të ngjarjes. Edhe pse kishte zyrtarë policorë nga një vend tjetër, kryeministri hungarez nuk pa asgjë të keqe në gjithë këtë.

“Nuk është çështje sigurie kombëtare, por sigurimi i rendit dhe qetësisë publike”, ka shtuar Orban.

Tibeti është regjion i Kinës, i cili e kërkon pavarësinë për një kohë të gjatë. Megjithatë, Tibeti i sotëm njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Kinës. Asnjë vend nuk e njeh Qeverinë në ekzil të Tibetit.

Orban dhe Xi gjithashtu kanë nënshkruar gjithsej 18 marrëveshje dhe kanë përcaktuar plane dhe synime të reja.

Marrëveshjet përfshijnë, ndër të tjera, ndërtimin e një linje hekurudhore, një ‘bypass’ hekurudhor dhe ndërtimin e një kalimi kufitar midis Serbisë dhe Hungarisë për të lehtësuar transportin e njerëzve dhe mallrave.

“Hungaria dhe Kina do të shqyrtojnë mundësinë e ndërtimit të një tubacioni nafte mes dy vendeve dhe gjithashtu ka vullnet për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e energjisë bërthamore”, ka thënë Orban.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme