Një muaj paraburgim për të dyshuarin që shpërndau numra të telefonit në grupin “Albkings”

21:32 | 10 Maj 2024
R J

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur  lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.H , për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Ngacmimi”.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.H dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit V.A, duke marrë për bazë peshën e veprës penale si dhe mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.A që nga data 06.05.2024 dhe në vazhdim me dashje dhe me qëllim të ngacmimit është përfshirë në një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme me qëllim të ngacmimit, duke i vënë në shqetësim të madh emocional, të dëmtuarat A.Th-M dhe A.A, ashtu që numrat e telefonave të tyre i kishte shpërndarë  në  një grup i quajtur “Albkings” në aplikacionin Telegram dhe pastaj anëtarët e këtij grupi kishin filluar t`i  kontaktonin të njëjtat përmes telefonave të tyre si  dhe aplikacioneve të ndryshme në internet, duke  kërkuar nga të dëmtuarat takime si dhe favore, po ashtu ekzistojnë  dyshime të bazuara se i njëjti ngjashëm ka vepruar edhe ndaj personave tjerë, duke shpërndarë të dhëna dhe numra të telefonit në ketë grup, fotografi të ndryshme në forma dhe përmbajtje degraduese  për vajza dhe gra, duke i etiketuar dhe fyer me terma nënçmuese, e që të njëjtave ju ka shkaktuar shqetësim të madh emocional.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme