Ditën e sotme u mbajt takimi i dymbëdhjetë i Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilin krahas Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, si dhe ministra, zëvendësministra, anëtarë të kabineteve qeveritare, si dhe drejtues të zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive të linjës.
Në këtë takim u diskutua rreth përgatitjeve për financim të projekteve infrastrukturore të vendit, nga fondet e BE-së dhe të partnerëve të tjerë zhvillimorë.
Me këtë rast, Kryeministri Kurti theksoi se gjatë tri viteve të fundit kemi aplikuar me sukses me shumë projekte infrastrukturore për financim, përderisa planifikimi i mirë dhe hartimi i listës prioritare, tani merr rëndësi edhe më të madhe, në kontekst të Planit të Rritjes së BE-së, nga i cili Kosova pritet të përfitojë afro 1 miliard euro. Ai edhe përmendi aplikimet e Kosovës të miratuara përgjatë kësaj periudhe nga Bordi Operacional i WBIF, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerën totale prej 57.6 milionë euro.
“Javën e kaluar patëm takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku diskutuam edhe për Agjendën e Reformave, një dokument kryesor për detyrimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Kryerja e reformave në të gjithë sektorët dhe fushat, që matet me treguesit e Agjendës së Reformave, është e lidhur drejtpërdrejtë me vëllimin e përfitimit të fondeve të Planit të Rritjes që realizohen përmes WBIF”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkaq, ministritë e linjës prezantuan listat prioritare në fushën e mjedisit, transportit dhe energjisë, ndërsa zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se qëllimi i kësaj liste në radhë të parë është t’i prioritizojmë projektet me të cilat pastaj ne aplikojmë në instrumentet për financim të ofruara nga Bashkimi Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe po ashtu tregon synimet tona investive në infrastrukturë.
Përgjatë kësaj mbledhjeje u votuan dhe Grupet Punuese Sektoriale (GPS) për përzgjedhjen e projekteve që do të përfshihen në kuadër të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për sektorin social dhe infrastrukturën digjitale.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Mirë se keni ardhur në mbledhjen e dymbëdhjetë të Komisionit për Planifikim Strategjik. Në mbledhjen e sotme do të marrim vendime të rëndësishme lidhur me përgatitjet për financim të projekteve infrastrukturore të vendit nga fondet e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve të tjerë zhvillimorë.
Si kërkesë e dalë nga Procesi i Berlinit, Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore në Kosovë e hartuar fillimisht në vitin 2015, është përditësuar së fundmi në vitin 2017 për sektorin e mjedisit, transportit, energjisë dhe sektorit social. Ky dokument që ka treguar synimet e Kosovës për investime dhe fazat e realizimit ka qenë edhe parakusht për përkrahje financiare nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor apo WBIF, siç njihet ndryshe me akronim.
Me programin tonë qeveritar, ne kemi paraparë përgatitjen e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore, përveç tjerash, edhe si përgjigje ndaj Planit për Ekonomi dhe Investime të Bashkimit Evropian të paraqitur në vitin 2020. Për këtë qëllim, në takimin e gjashtë të Komisionit për Planifikim Strategjik patëm themeluar grupet punuese sektoriale për sektorin e mjedisit, transportit dhe të energjisë. Pasi ka përfunduar puna nga grupet punuese, sot do të miratojmë listat për këta tre sektorë. Njëkohësisht, do të formojmë edhe grupet punuese sektoriale për infrastrukturën digjitale dhe sektorin social.
Paralelisht me hartimin e listës prioritare, gjatë këtij mandati qeverisës, kemi aplikuar me shumë projekte infrastrukturore për financim, dhe kemi arritur financimin e tyre.
Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF), në dhjetor të vitit 2022 ka miratuar tri aplikime për fonde të Republikës së Kosovës, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerën totale prej 57.6 milionë euro. Këtu përfshihet granti për përgatitjen e projektit për banimin social në vlerë prej 2.08 milionë euro, që do të shfrytëzohet për përgatitjen e investimeve të cilat e kanë vlerën totale prej 47.5 milionë euro. Gjithashtu, granti investues për parkun solar në KEK në vlerë 33.07 milionë euro, si pjesë e investimeve që kanë vlerën totale prej 103.33 milionë euro. E granti i tretë është ai investues për ngrohjen qendrore në kryeqytet në vlerë prej 22.47 milionë euro, si pjesë e investimeve që në total kanë vlerën 76.368 milionë euro.
Planifikimi i mirë dhe hartimi i listës prioritare tani merr rëndësi edhe më të madhe, në kontekst të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, nga i cili pritet që Kosova të përfitojë afro 1 miliard euro. Gjysma e kësaj shume do të ofrohet për investime infrastrukturore, të cilat realizohen përmes WBIF, me kritere të veçanta, të dedikuara për sektorët e transportit, energjisë, sektorit digjital si dhe të fushës së kapitalit njerëzor. Projektet e kapitalit njerëzor do të jenë pjesë e listës prioritare të sektorit social. Ndërkaq, sektori i mjedisit do të vazhdojë të jetë nga WBIF, por grantet e ofruara për mjedisin nuk burojnë nga pakoja financiare e Planit të Rritjes, por nga fondet IPA rajonale që ofrohen përmes WBIF dhe kriteret e aplikimit pritet të jenë të njëjta sikurse që kanë qenë edhe më parë.
Javën e kaluar patëm takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku diskutuam edhe për Agjendën e Reformave, një dokument kryesor për detyrimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Kryerja e reformave në të gjithë sektorët dhe fushat, që matet me treguesit e Agjendës së Reformave, është e lidhur drejtpërdrejtë me vëllimin e përfitimit të fondeve të Planit të Rritjes që realizohen përmes WBIF.
Prandaj, ministrat, zëvendësministrat, kabinetet e tyre dhe menaxhmenti i shërbimit civil, duhet të mobilizohen për të identifikuar dhe për t’i zgjidhur sfidat dhe vështirësitë, njëkohësisht mundësitë që kemi, për të plotësuar detyrimet tona në Agjendën e Reformave dhe për të filluar aplikimin me projektet infrastrukturore.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...