Artistët e huaj në Kolonjë, 20 piktorë sjellin natyrën dhe heronjtë shqiptarë

18:02 | 10 Maj 2024
R J

Më shumë se 20 piktorë shqiptarë e të huaj janë bërë bashkë në një koloni për të sjellë pranverën dhe jo vetëm në telajo të një prej krahinave më të njohura të vendit tonë.

Piktorë që kanë ardhur nga Peruja, Kanadaja, Turqia dhe vende të tjera të rajonit të cilët për 4 ditë qëndruan në Kolonjë duke pikturuar në vende të ndryshme, punime të cilat i kanë sjellë në ekspozitën përmbyllëse të kolonisë.

Helidon Haliti dhe Fatmir Juka kanë vlerësuar së tepërmi peizazhet e Kolonjës ndaj e për këtë sipas tyre ardhja e kaq shumë piktorëve të njohur është një promovim i vlerave të kësaj treve.

“Kemi artistë që kanë ardhur nga Peruja, Kanadaja, Turqia, Maqedonia e artistët shqiptarë që këtu sapo shënuan një histori sepse gjetën një gjuhë të përbashkët. Një bukuri e jashtëzakonshme e natyrës që erdhëm si kolonizatore por na pushtoi ajo. Janë promovim për turizmin sepse këtu nis magjia”, tha piktori Helidon Haliti.

“Këtë vend ua ka bekuar Zoti, është i mrekullueshëm, këto takime janë të rëndësishme sepse njohin një Shqipëri që nuk e njohim, nuk njohim njëri-tjetrin, në qoftë se do lidheshin më tepër me vendin, do kishte më pak njerëz që nuk do e linin Shqipërinë”, tha piktori Fatmir Juka.

Jorge Corpuna nga Peruja është tërhequr nga fusha e Kolonjës, punim të cilin e ka sjellë me ngjyra të shumta, ndërsa piktori turk, Atanaur Dogan, ka realizuar portretin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, pasi sipas tij, lidhja midis shqiptarëve dhe turqve kulmon me dy personazhe, Skënderbeun dhe Ataturkun.

“Është hera e parë në Shqipëri. Vend fantastik. Po kënaqem shumë këtu, njoha shumë artistë të mirë, të talentuar, bashkëpunues. Këtu u tërhoqa nga fusha e Kolonjës dhe po e shijoj në mënyrën time”, tha piktori peruan, Jorge Corpuna.

“Në fakt mund të pikturoja natyrën por këtu pashe njerëz heronj dhe vendosa të pikturoj një hero. Ne turqit kemi të përbashkëta me ju shqiptaret e dy njerëz që na bëjnë bashkë janë Skënderbeu dhe Ataturku. Vendosa të pikturoj Skënderbeun sepse doja të perulesha ndaj kombit tuaj e popullit tuaj”, tha piktori turk, Atanaur Dogan.

Kolonja pothuajse çdo vit tërheq piktorë të shumtë të cilët organizohen në ky koloni, atë të pranverës dhe vjeshtës, ashtu siç e ka kthyer tashmë në traditë edhe koloninë e piktorëve të vegjël./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme