“Ishte faji im”, Mbappe merr përsipër dështimin e PSG-së në Champions League

08:37 | 10 Maj 2024
K.B

Duhej të ishte mbrëmja e tij, e Kylian Mbappe, por pikërisht ai ka qenë i munguari i madh të martën në “Parc des Princes”.

Numri 7 i PSG-së ka zhgënjyer tërësisht, duke mbajtur dhe ai përgjegjësi për eliminimin nga Champions League përballë Dortmund.

E gjithë skuadra, trajneri Luis Enrique, por mbi të gjitha Mbappe janë vënë në bankën e të akuzuarve nga mediat franceze.

Ato nuk kanë kursyer asgjë ndaj kapitenit të Francës. Ndërkaq dhe vetë ai ka bërë autokritikë duke marrë përsipër një pjesë të faturës së dështimit edhe në këtë edicion të Champions, që me shumë gjasa ka qenë e fundit për të me fanellën e PSG-së.

Ndoshta nga sezoni i riu ai do ta kërkojë këtë trofe me një tjetër fanellë, atë të Realit të Madrid, teksa pritet zyrtarizimi i marrëveshjes.

“I pari që duhej të kishte bërë diçka në këtë gjysmëfinale isha unë. Ishim shumë pranë, një hap larg finales, por kemi dështuar dhe unë mbaj përgjegjësinë që më takon”, deklaroi sulmuesi i PSG-së.

Pas autokritikës ai është kthyer të ngushëllojë sezonin e kampionëve të Francës, duke mos e nxirë krejtësisht panoramën.

“Champions League ishte një nga objektivat tanë të rëndësishëm në këtë sezon. Treguam se ishim në gjendje të shkonim shumë larg në këtë kompeticion. Por nëse e marrim sezonin në tërësi, pavarësisht këtij zhgënjimi jo të vogël, unë nuk do ta quaja dhe aq të keq. Jemi të vetëdijshëm se nga ne pritej shumë, pritej të shkonim së paku në finalen e Champions, por Dortmundi…”, tha ai./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme