Arkeologët nxorrën në dritë mozaikë dhe afreske të reja gjatë gërmimeve në territorin e një shkolle, e cila u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 në Durrës dhe po rindërtohej.
Sipas arkeologut Luan Përzhita, që udhëheq misionin, gërmimet kanë zbuluar gjurmët e një pishine të brendshme të një vile të periudhës romake, e para e llojit të saj e zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Shqipëri.
Sipas zotit Përzhita pishina është e dekoruar në të gjithë sipërfaqen e saj me afresk të një niveli të lartë artistik shumëngjyrësh.
“Unikaliteti i kësaj strukture, sipas arkeologut Përzhita, qëndron dhe në dyshemenë e saj të shtruar me një mozaik të ruajtur shumë mirë, me motive gjeometrike, të punuar me tesera mermeri, guri , qelqi dhe qeramike”, thotë arkeologu Përzhita.
Ai shton se “në afërsi të pishinës, është zbuluar një monument hidrik i përbërë nga dy vaska të cekëta të shtruara me llaç hidroizolues dhe në pjesën veriore të kantierit të gërmimit u zbulua një dysheme me tulla, me përmasa të mëdha e cila mund të jetë dyshemeja e një terme, duke marrë parasysh krahasimet me ndërtimet e ngjashme të periudhës në Mesdhe”.
Sipas arkeologut janë evidentuar edhe disa linja muresh që lidhen me kompleksin arkitektonik të zbuluar në këtë sektor.
“Lartësia e konsiderueshme e ruajtjes së tyre na lë të nënkuptojmë që ky monument mund të ketë qenë i ndërtuar me dy kate”, tha arkeologu Përzhita.
Sipas tij me shumë interes janë zbulimet në pjesën perëndimore, ku veçohen fragmente të dekorimit të mureve dhe tavaneve të vilës, të punuara me stuko me motive të ndryshme, antropomorfe dhe floreale ku nuk mungojnë gjurmët e afreskut.
Gërmimet arkeologjike në këtë zonë shtrihen në një sipërfaqje prej 1200 m2 dhe në këtë fazë kanë dhënë një panoramë të veçantë të organizmit urban të zonës duke premtuar gjetje të reja.
Pak kohë më parë në këtë zonë u zbulua një banesë e shtruar me mozaikë me motive floreale, e cila solli bllokimin e vijimit të punimeve për themelet e shkollës së re që po ndërtohej, marrjen në mbrojtje të zonës dhe fillimin e misionit arkeologjik.
Arkeologët besojnë se kanë të bëjnë me një pjesë të qytetit ku banonin shtresat elitare të shoqërisë dhe gjatë gërmimeve janë gjetur edhe objekte të tjera arkeologjike si enë , një statujë dhe figurina.
Gjetjet arkeologjike sipas arkeologëve i përkasin shekujve I-IV të erës sonë me pikën kulmore të zhvillimit të një rezidence elitare në shekujt I-II e.s. e cila ndodhej poshtë themeleve ku ishte ndërtuar shkolla që u shkatërrua nga tërmeti që goditi Durrësin në vitin 2019.
Arkeologët mendojnë se edhe rezidenca elitare u shkatërrua nga tërmeti i shekullit të IV të e.s, i cili përmendet në burimet antike./VOA
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”