Presidentja Osmani: Ilir Konushevci, ndër figurat më të rëndësishme të UÇK-së

12:23 | 9 Maj 2024
L G

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka kujtuar heroin Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij.

Në një postim në faqen zyrtare të Presidencës, Osmani theksoi se Ilir Konushevci me veprimtarinë unike për kauzën e luftës çlirimtare është ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e sektorit të logjistikës.

“Vrasja e tij së bashku me mjekun Hazir Mala në pritë të organizuar, ishin humbje e rëndë për UÇK-në, pikërisht në kohën e organizimit dhe shtrirjes së madhe të saj. Besnikëria, ndershmëria, guximi dhe vendosmëria ishin virtytet e Ilirit, i cili ra për lirinë e popullit të tij”, ka theksuar presidentja.

Tutje ajo tha se falë Ilir Konushevcit dhe bashkëluftëtarëve të tij “ne jemi të lirë, ndaj drejtësia për të është domosdoshmëri dhe respekt për sakrificën sublime. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ilir Konushevci dhe mjekun Hazir Mala!”./Arbresh.info/

Të ngjashme