Presidenti Biden dënon rritjen e antisemitizmit

23:25 | 8 Maj 2024
E.G

Presidenti Joe Biden dënoi “rritjen e theksuar” të antisemitizmit, gjatë një fjalimi të martën me rastin e përvjetorit të Holokaustit, që përkoi edhe me shtatë mujorin e fillimit të konfliktit në Rripin e Gazës.

“Kjo urrejtje vazhdon të qëndrojë thellë në zemrat e shumë njerëzve në botë”, tha Presidenti Biden gjatë një fjalimi në ceremoninë vjetore “Ditët e Kujtesës”, të organizuar nga Muzeu i Holokaustit në Shtetet e Bashkuara.

Ai e mbajti fjalimin në ndërtesën Kongresit amerikan përpara një grupi ligjvënësish dhe disa të mbijetuarve të nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore në të cilën nazistët vranë në mënyrë sistematike 6 milionë hebrenj.

Në fjalimin e tij, Presidenti Biden u përpoq ta lidhte atë ngjarje me sulmin befasues të grupit militant palestinez të Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar, në të cilin u vranë rreth 1200 civilë izraelitë. Sulmi shkaktoi një konflikt mes Hamasit dhe Izraelit, që deri më tani ka shkaktuar vrasjen e mbi 34 mijë palestinezëve.

“Kemi parë një rritje të pakontrolluar të antisemitizmit në Amerikë dhe në mbarë botën që nga sulmi i tetorit”, tha zoti Biden. “Jemi këtu, jo 75 vjet më vonë, por vetëm shtatë muaj e gjysmë pas një sulmi ndaj hebrenjve, dhe njerëzit tashmë po harrojnë terrorin që ka kryer Hamasi.”

Presidenti Biden e siguroi komunitetin hebre duke thënë se: “Ju jeni pjesë e komunitetit tonë. Keni qenë dhe gjithmonë do të jeni pjesë e tij. Angazhimi im për sigurinë e popullit hebre, sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për të ekzistuar si një shtet i pavarur hebre është i hekurt, edhe në raste kur nuk jam dakord me veprimet e udhëheqjes së tij.”

Amy Spitalnick, drejtore ekzekutive e Këshillit Hebre për Çështjet Publike, përshëndeti fjalimin e Presidentit Biden dhe tha përmes një deklarate se antisemitizmi është problem i të gjithëve, jo vetëm i hebrenjve.

“Përhapja e teorive konspirative dhe urrejtjes antisemite kërcënojnë të minojnë sigurinë e secilit amerikan, normat dhe vlerat tona thelbësore demokratike”, tha zonja Spitalnick. “Jemi mirënjohës për udhëheqjen e qartë morale të Presidentit Biden, i cili po përballet me këtë kërcënim, përfshirë edhe strategjinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara kundër antisemitizmit.”

“Ne i bëjmë thirrje Kongresit të hedhë për votim projektligjin Kundër Antisemitizmit, të mbështesë zbatimin e fuqishëm të strategjisë kombëtare dhe të rrisë ndjeshëm fondet për Zyrën e të Drejtave Civile të Departamentit amerikan të Arsimit, për të hetuar plotësisht veprimet e antisemitizmit dhe shkeljen e ligjit për të drejtat civile në universitete. Ka ardhur koha për ta bërë ta qartë se shoqëritë e drejta dhe gjithëpërfshirëse janë ato në të cilat hebrenjtë dhe të gjitha komunitetet janë të sigurta dhe të lira.”

Përhapja e protestave pro-palestineze në universitete dhe kolegje amerikane ka ngritur pikëpyetje mbi çështjen nëse kritikat ndaj shtetit hebre, që po vazhdon sulmet në Gazë, duhet të konsiderohen shprehje antisemite.

“Është krejtësisht në rregull të kundërshtohen politikat e një shteti”, tha studiuesja Mirette Mabrouk nga Instituti i Lindjes së Mesme. “Nuk është kurrë në rregull të jesh fanatik. Pra, kur shteti i Izraelit i ngatërron këto dy çështje, ai ngatërron identitetin hebre me politikat e shtetit të Izraelit, duke e bërë shumë më të vështirë për njerëzit që të kundërshtojnë politikat e Izraelit, sepse njerëzit nuk duan të portretizohen si antisemitë.”

Zëri i Amerikës e pyeti zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, se cili është qëndrimi i administratës së Presidentit Biden për këtë.

“Është shumë e qartë. Antisemitizmi shfaqet në mënyrën më të urryer dhe më të neveritshme. Antisemitizmi është thjeshtë gjuhë urrejtjeje. Unë nuk dua të merrem me shembuj të antisemitizmit.”/voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme