Për t’i mbështetur përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shtetet perëndimore i vendosën asaj një kusht: ndërmarrjen e hapave konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këtë e konfirmuan nga Ambasada gjermane në Kosovë.
“Dorëzimi i draft-statutit [të Asociacionit] në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, do të ishte një hap i tillë [konkret]”, thuhet në përgjigje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë kusht, me arsyetimin se nuk ka të bëjë me pranimin e vendit në Këshillin e Evropës.
Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij të mërkurën, ai tha se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Po të mërkurën, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një takim online me gazetarët se ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për t’u pranuar në Këshillin e Evropës.
Ai tha se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar nga Kosova ta themelojë Asociacionin dhe shtoi se kjo është një kërkesë e vazhdueshme e bashkësisë ndërkombëtare.
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, beson se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të jetë fare në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, më 16 dhe 17 maj, kur edhe pritej të merrej vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës.
“Me këtë do të parandalohej një votë negative, domethënë një votë e pasuksesshme”, thotë Weber për Radion Evropa e Lirë.
Që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës – organizatës më të madhe në kontinent për të drejtat e njeriut – pranimi i saj duhet të mbështetet nga së paku dy të tretat e 46 vendeve anëtare.
Kurti tha të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, sepse ai është pjesë e dialogut me Serbinë që zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg, ku ka selinë Këshilli i Evropës.
Ai e arsyetoi vendimin e tij edhe me faktin se Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, të cilën dy vendet e kanë pranuar në vitin 2023.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, ka thënë më herët se marrëveshja, e cila është bërë e njohur në publik si Marrëveshja e Ohrit, është ligjërisht e detyrueshme si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin, edhe pse nuk është nënshkruar.
Kurti, duke folur edhe pas një takimi me përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Prishtinë, më 6 maj, ka thënë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe vendosja e kushteve të rejave është në kundërshtim me votimin e 16 prillit.
Më 16 prill, deputetët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë miratuar me shumicë votash raportin e deputetes greke, Dora Bakoyannis, i cili i rekomandon Komitetit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës që ta pranojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Presidencës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me kushtin e ri të shteteve perëndimore për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por nuk mori përgjigje.
Kosova “ra” në kushtet joformale
Weber thotë se Kosova “ra” në kushtet joformale të vendeve perëndimore, sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe shton se kërkesa të tilla politike ndaj Prishtinës zyrtare, mund të priteshin.
Ai shton se vendet perëndimore i paraqitën këto kërkesa joformale mjaft vonë.
“Kemi një kombinim të vetëmashtrimeve nga Prishtina dhe sinjalizimeve të vonuara nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian”, thotë Weber.
Sipas tij, situata e re mund ta dëmtojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe tregon se Marrëveshja e Ohrit nuk i ka relaksuar aspak raportet mes palëve.
Përgjegjësia, shton ai, bie mbi vendet perëndimore.
“Ka një bllokadë të plotë, një ashpërsim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, Prishtinës dhe serbëve të Kosovës, si dhe Prishtinës dhe Perëndimit”, thotë Weber.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.
Më 27 mars, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, raportuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën.
Raportit pozitiv i ka paraprirë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i kthyer 24 hektarë tokë dhe pyje Manastirit Ortodoks të Deçanit, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilin me vite ka refuzuar ta zbatojë.
Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në raportin e Bakoyannisit thuhet se ai është çështje e brendshme e Kosovës.
Serbia, në anën tjetër, ka formuar një grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kryeministri i ri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë po ashtu se do të bëjë gjithçka për ta penguar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse, siç është shprehur, shanset janë të vogla.
Këshilli i Evropës është themeluar në vitin 1949. Ai mbron lirinë e shprehjes dhe medias, barazinë dhe pakicat në vendet anëtare.
Një nga përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të ishte qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...