Stafi i Qendrës Integruese Rehabilituese e të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime ku po trajtohen personat me diagnozën e skizofrenisë tregojnë sfidat dhe rreziqet që u kanosen gjatë punës së tyre këtu.
Në mesin e stafit të Qendrës Rehabilituese në Shtime, që përkujdesen për këta 60 persona, është edhe punëtorja sociale, Shpresa Halimi e cila ka 24 vjet që punon këtu.
Puna në këtë qendër, sipas saj, nuk është aspak e lehtë, pasi ka raste kur edhe sulmohen fizikisht nga personat që po trajtohen këtu.
“Unë në këtë institucion punoj që 24 vjet. Nuk është punë e lehtë që të merresh me këta pacientë, ku është një përgjegjësi dhe nuk është e lehtë. Me mua personalisht i kanë sjelljet shumë të mira, por njëkohësisht edhe unë sillem shumë mirë me pacient”, thotë Halimi.
Ajo tregon se ka përjetuar një sulm fizik gjatë punës së saj këtu.
Po kam pas një sulm prej pacientëve, por nuk ka qenë me lëndim serioz”, tregon ajo.
Në anën tjetër, infermierja e kësaj qendre, Laie Osmani ankohet se nuk ka numër të mjaftueshëm të stafit për t’i plotësuar nevojat e këtyre personave që po trajtohen këtu.
“Në këtë qendër jemi 12 infermier, por varet edhe nga kujdestaria, ndërrimi jem ka tre infermierë që kujdesemi për katër reparte. Ky numër i infermierëve nuk mjafton për t’i plotësuar kërkesat e tyre, sepse kemi raste të ndryshme, kështu që në përgjithësi numri është i vogël ku kemi nevojë edhe për ndihmesa mjekësor që kujdesën për higjienën e pacientëve”, thotë Osmani.
Ndërsa psikologu, Besnik Sadiku, na tregon disa nga aktivitetet ditore që bëhen në këtë qendër. Sipas tij, terapitë individuale dhe këshillime psikologjike, art-terapi, muziko-terapi, terapi grupore, janë disa nga terapitë që hyjnë në plan-programin e punës.
“Realisht unë si psikolog kam planin e trajtimit për gjendjen psiko-emocionale të pacientëve, ku përfshihen aktivitete ditore ne plan program që janë të përfshira aktivitete të ndryshme psikologjike si terapitë individuale dhe këshillime psikologjike, art-terapi, muziko-terapi, terapi grupore që hyjnë në planprogramin e punës. Realisht këta pacientë përfitojnë sepse janë më aktiv dhe bëhet një lloj psiko-edukimi tek këta pacient për marrjen e terapisë”, përfundoi Sadiku.
Cilat janë kushtet që një person të pranohet në këtë qendër?
Drejtori i kësaj qendre, Miftar Zenelaj, tregon se cilat janë disa nga kushtet kryesor që një person duhet t’i plotësoj në mënyrë që të pranohet këtu.
Sipas tij, për t’u pranuar në këtë qendër, që funksionon në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) , pacientët duhet ta kenë diagnozën e çrregullimit psikiatrik e tipit të skizofrenisë.
“Qendra Integruese Rehabilituese të Sëmurëve Kronik Psikiatrik këtu në Shtime është institucion i shëndetit mendor i rëndësisë së veçantë publike e cila trajton një kategori specifike të pacientëve psikiatrik të cilët janë të diagnostikuar më herët me diagnozën e çrregullimit psikiatrik e tipit të skizofrenisë”, thotë Zenelaj.
Ai pohon se një pjesë e konsiderueshme e pacientëve kanë të drejtë të shkojnë te familjarët e tyre gjatë fundjavës për vizita.
Por, sipas tij, ka edhe familje të cilat nuk interesohen aspak për të afërmit e tyre këtu.
“Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve lejohen që në vikende terapeutike, kur ne vlerësojmë se janë në gjendje që të funksionojnë në familje dhe në komunitet, kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me familjarët e disa nga pacientëve, por kemi disa prej atyre që nuk bashkëpunojnë dhe nuk vijnë që t’i vizitojnë familjarët e tyre të cilët janë duke u trajtuar në këtë institucion”, tregon Zenelaj.
Për të arritur këtë synim kryesor të qendrës, rehabilitimin dhe integrimin e personave me sëmundje kronike psikiatrike, Zenelaj beson se është shumë e rëndësishme të mos stigmatizohet ky komunitet.
“Kjo kategori e pacientëve kudo në botë stigmatizohet edhe mund të diskriminohen, qoftë nga familjarët, nga komuniteti dhe rrethi në të cilën jetojnë, mirëpo tek ne është punuar shumë në atë drejtim duke ju falënderuar profesionistëve të shëndetit mendor dhe natyrisht edhe njerëzve të vullnetit të mirë”, shprehet ai.
Në u larguam nga kjo qendër, duke përshëndetur personat që po trajtohen këtu, si dhe stafin shëndetësor, me urimin për shëndet dhe me shpresën që dëshirat e tyre për rikthim në një jetë normale jashtë kësaj qendre, tu realizohet./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
LEXO EDHE:
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...