Për herë të parë që nga viti 2002 kur Leku hyri në Shqipëri, monedha Euro po këmbehet për më pak se 100 lekë.
Kjo gjë po shihet si shqetësuese për ekonomistët, pasi mund të ndikojë në rënien e turistëve kosovarë në Shqipëri.
Ekonomistët pretendojnë se fuqizimi i lekut krahas euros dhe liberalizimi i vizave, mund të jenë dy nga shkaktarët e largimit të turistëve kosovarë nga Shqipëria dhe shkuarjes së tyre drejt vendeve evropiane për pushime.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi thotë se për shkak të rënies së vlerës së monedhës euro krahas lëkur, pushuesit kosovarë do të marrin rrugën drejt bregdeteve të tjera.
“Pasoja do të kenë edhe pushuesit kosovar sepse bregdeti shqiptar për shkak të mbivlerësimit të lekut do të jetë dukshëm më i shtrenjtë se në vitin e kaluar. Për shkak të liberalizimit të vizave dhe për shkak të lekut të mbivlerësuar kosovarët do të mësyjnë bregdetin malazez, kroat, turk dhe grek shume me tepër se sa vitin e kaluar”, thotë ai.
Ai mendon se fuqizimi i lekut, do të ndikojë negativisht në ekonominë e Shqipërisë.
“Forcimi artificial i lekut do të ndikoj negativisht në ekonominë e Shqipërisë e sidomos në eksport të mallrave dhe shërbimeve sepse eksportuesit shqiptar do të marrin më pak lek për 20% në krahasim me përpara për në euro. Pasoja do të ketë edhe turizmi dhe krejt ekonomia përcjellëse sepse ky turizëm do të behet dukshëm me i shtrenjtë se në vitet e kaluara. Në këtë mënyrë do të dobësohen konkurrenca e turizmit shqiptar në krahasim me vendet e rajonit”, thekson ekonomisti.
Por, sipas tij, leku do të duhej të dobësohej për shkak se fuqia blerëse e tij është për ditë e më e vogël në krahasim më vitin e kaluar.
“Unë mendoj se forcimi i lekut nuk është real. Për mendimin tim duhet të ndodhte e kundërta, leku duhet të dobësohej për shkak se fuqia blerëse e tij është për ditë e më e vogël në krahasim më vitin e kaluar apo edhe në vitet e parme. Po ta analizojmë me kujdes rritja e çmimeve në tregun shqiptar është vazhdimisht më e lartë në eurozonë, ndërsa leku po fiton vazhdimisht pikë në krahasim me euron”, shprehet ai.
Lidhur me këtë Abazi liston dhe arsyet se pse po ndodh kjo.
“Prezenca e madhe e parave të pista në kesh kryesisht në euro dhe kryesisht nga droga, korrupsioni galopant në të gjitha poret e shtetit shqiptar, financimi i borxhit të brendshëm dhe ri financimi i tij kryesisht nga qytetarët dhe bizneset e Shqipërisë sepse Shqipërisë nuk i jep kush para hua nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe mos përmbushja e detyrës së saj nga Banka e Shqipërisë për politikën monetare dhe kreditare dhe të stabilitetit të çmimeve” thekson ai.
Gërxhaliu: Emocionet që kanë banorët e Kosovës dhe Shqipërisë janë më të fuqishme se interesi
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gerxhaliu thotë se ekonomia e Shqipërisë është në zhvillim e sipër dhe për shkak të stabilitetit politik të paparë, ka ardhur deri te fuqizimi i leku.
Sipas tij, fakt tjetër është edhe roli i fuqishëm i kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Ballkanin Perëndimor.
“Kryeministri Edi Rama po luan një rol vërtetë të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, vetë fakti që ka kompani dhe brende të huaja që vijnë dhe investojnë në Shqipëri e dëshmon një stabilitet ekonomik, nga i cili po reflekton fuqizim i lekut krahasuar me dollarin”, thotë Gerxhaliu.
Ai mendon se viti 2024 do të jetë edhe më një numër më të madh turistësh, duke shtuar se për kosovarët do të jetë paska shqetësuese.
“Pritet një numër rekord i vizitoreve dhe ekonomia e Shqipërisë gradualisht po shndërrohet në një ekonomi faktor në Ballkanin Perëndimor. Definitivisht kjo ngritje dhe një faktorizim i lekut përball euros do të jetë paksa shqetësuese. Mendoj se Shqipëria do të kalojë nga një turizëm masiv në një turizëm ekskluziv, do të ketë pak hapësirë për kosovarët”, shprehet ai.
Por sipas tij, emocionet që kanë banorët e Kosovës dhe Shqipërisë janë më të fuqishme se interesi, duke shprehur besimin që edhe për disa vite me radhë kosovarët do ta kenë destinacion bregdetin shqiptar.
Por, Gerxhaliu nuk e përjashton mundësinë për shkak të liberalizimit të vizave mund të ketë një zbehje të pushuesve nga Kosova në bregdetin shqiptar.
Ndërkohë, të enjten sipas kursit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, valuta evropiane po këmbehet për 99.94 në blerje.
Pra, nëse shkoni në pikat e këmbimit valutor apo banka të nivelit të dytë, për një euro do të merrni më pak se 100 lekë.
Nga ana tjetër, në shitje euro vijon të qëndrojë mbi nivelin e 100 lekëve. Me më pak se 94 lekë po këmbehet dollari ndërsa paundi me 117.31 lekë.
Ende pa nisur sezona e verës, ose e pushimeve, më 13 prill të këtij viti shumë qytetarë nga Kosova zgjodhën të udhëtojnë drejtë Shqipërisë.
Përmes pikës kufitare të Morinës në territorin e Shqipërisë hynë më shumë se shtatë mijë qytetarë me rreth 4100 automjete.
Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i këtij viti e gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza.
Heqja e vizave kë bërë që udhëtimet jashtë shtetit të rriten, sipas Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), qytetarët e Kosovës për të vizituar Selanikun dhe vendet të tjera të Greqisë, po shpenzojnë mbi 1 milion euro.
Në muajin mars sipas statistikave destinacioni kryesor ishte Greqia./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...
Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak mungesa e k...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...
Raportohet se dy persona nga Podujeva janë arrestuar nga Ser...
Rasti i Xuxit me Kevinin, reagon nëna e këtij të fundit: Mar...