Izraeli informon SHBA-në për planin e evakuimit të civilëve nga Rafahu

09:51 | 4 Maj 2024
E.K

Gjatë kësaj jave, Izraeli ka informuar zyrtarët e administratës të presidentit amerikan, Joe Biden, lidhur me planin për evakuimin e civilëve palestinezë, para se shteti të lëvizë përpara me një operacion të mundshëm në qytetin jugor të Gazës, Rafah, thanë zyrtarët amerikanë që kanë njohuri për këto bisedime.

Izraeli synon të kryejë operacion në Rafah me qëllim që të shtypë Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zyrtarët, që sipas Associated Press nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për këto bisedime të ndjeshme, thanë se plani i detajuar nga izraelitët nuk ka ndryshuar qëndrimin e administratës amerikane që një ofensivë në Rafah do të rrezikonte shumë jetë të civilëve të pafajshëm palestinezë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të kryejë operacion ushtarak në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve nga presidenti Biden dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë se një veprim i tillë do të rezultonte në vdekjen e më shumë civilëve dhe do të përkeqësonte situatën tashmë të rëndë humanitare.

Administrata Biden ka thënë se do të ketë pasoja për Izraelin nëse kryen operacion pa një plan të besueshëm për mbrojtjen e civilëve.

“Në mungesë të një plani të tillë, ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh ushtarak në Rafah sepse dëmi do të ishte përtej të pranueshmes”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të premten mbrëma gjatë Forumit Sedona, një ngjarje e organizuar në Arizona nga Instituti McCain.

Afër 1.5 milion palestinezë janë strehuar në Rafah për shkak të luftës që nisi më 7 tetor kur radikalët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Agjencia për ndihmë e Kombeve të Bashkuara tha më 3 maj se qindra mijëra persona “do të ishin në rrezik që të vriteshin” nëse Izraeli do të sulmonte Rafahun. Ky qytet, që gjendet në kufi me Egjiptin, është po ashtu pika prej ku futet ndihma humanitare për palestinezët e zhvendosur nga lufta.

Zyrtarët shtuan se plani i evakuimit për të cilin izraelitët e njoftuan SHBA-në nuk është finalizuar, duke theksuar se të dyja palët u pajtuan që të vazhdonin diskutimet për këtë çështje.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve të premten se nuk ka një plan “gjithëpërfshirës” për një operacion të mundshëm në Rafah të cilin izraelitët ia kanë prezantuar Shtëpisë së bardhë. Operacioni, megjithatë, është diskutuar gjatë telefonatave të realizuara së fundi mes Bidenit dhe Netanyahut, por edhe gjatë takimeve virtuale mes zyrtarëve të lartë izraelitë dhe zyrtarëve amerikanë për siguri kombëtare.

“Ne duam të sigurohemi që bisedimet të vazhdojnë sepse është e rëndësishme që të mbrohet jeta e këtyre palestinezëve, jeta e të pafajshmëve”, tha Jean-Pierre.

Njoftimi për synimin e Izraelit që të lëvizë përpara me operacionin në Rafah ndodhi në kohën kur drejtori i CIA-s, William Burns, më 3 maj shkoi në Egjipt, ku negociatorët po synojnë të arrijnë një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi është duke e shqyrtuar propozimin e fundit të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve që është prezantuar nga ndërmjetësit nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari. Ndërmjetësit po synojnë që të shmangin një operacion ushtarak në Rafah./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme