Kelmendi takohet me koordinatorët e rasteve të dhunës në familje nga të gjitha prokurorit në vend, flasin me sfidat me të cilat po ballafaqohen

16:42 | 2 Maj 2024
E.H

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka marrë pjesë në takimin e ftuar nga prokurorja e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit,  Sevdije Morina, njëkohësisht koordinatore për rastet e dhunës në familje, së bashku me prokurorët-koordinatorë për rastet e dhunës në familje nga të gjitha prokuroritë themelore në vend.

Në këtë takim u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët në punën përditshme lidhur më trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe nevojën për të bërë tejkalimin e këtyre sfidave, përcjell Arbresh.info.

“Pas diskutimeve të përbashkëta, e me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kryerjes së këtyre veprave penale u nxorën edhe konkluzionet që prokurorët e shtetit, në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkojnë caktimin e paraburgimit për rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjeve pa leje, si dhe të zbatojnë në mënyrë strikte udhëzuesin për politikë ndëshkimore”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu konkluzion edhe i këtij takimi ishte që me qëllim të krijimit të kushteve për realizim të mandatit të Prokurorit të Shtetit për hetimin e këtyre veprave penale tu adresohen kërkesat institucioneve tjera për: shtimin e mjeteve buxhetore sa i përket shtimit të numrit të mbrojtësve të viktimave; shtimin e strehimoreve për vendosjen e viktimave, rritjen e kapaciteteve në Agjencinë për Forenzikë të Kosovës, si dhe shtimin e kapaciteteve në Institutin për Forenzikë Psikiatrike”, thuhet tutje në njoftim.

Në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nëpër të gjitha Prokuroritë Themelore, për rastet e dhunës në familje, janë të caktuar koordinatorë nga radhët e prokurorëve, të cilët merren ekskluzivisht me këto raste dhe të cilët vazhdojnë me përkushtim dhe me urgjencë të trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër dhunës në familje./Arbresh.info

Të ngjashme