Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor njoftoi se trupi gjykues ka marrë vendim që edhe nëntë persona t’i bashkohen grupit ekzistues të viktimave pjesëmarrëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Doyle tha se vendimi është marrë në janar të këtij viti, ndërsa është bërë publik së fundi e ku thuhet se njëherë kërkesat e këtyre personave ishin refuzuar pasi ishin dorëzuar jashtë afatit kohor që ishte përcaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në gjykimin Thaçi dhe të tjerët, Trupi Gjykues bëri publik vendimin që lëshoi në janar lidhur me disa persona që ridorëzuan kërkesat për t’u pranuar si viktima, pas urdhrit të Trupit Gjykues për informacione shtesë. Trupi Gjykues vendosi të pranojë nëntë parashtrues kërkesash që fillimisht i kishte refuzuar pasi i kishin dorëzuar kërkesat pas afatit të përcaktuar nga Trupi Gjykues”, tha Doyle.
Doyle gjithashtu tha se nëntë parashtruesit e pranuar kanë rrethana personale të ndryshme dhe banojnë në zona të ndryshme, por që në të njëjtën kohë kanë qenë objekt i krimeve të pretenduara.
“Nëntë parashtruesit e pranuar kanë rrethana personale të ndryshme, banojnë në zona të ndryshme si dhe flasin gjuhë të ndryshme. Në të njëjtën kohë, duke qenë se ishin objekt i krimeve të pretenduara të ngjashme në rrethana përgjithësisht të ngjashme, u gjykua se kanë interes të përbashkët të marrin pjesë në proces dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Rrjedhimisht, parashtruesit iu bashkuan grupit ekzistues të viktimave pjesëmarrëse dhe përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës”, tha Doyle.
Përpara kësaj, Doyle tha se trupi gjykues u bind se nëntë parashtruesit ishin viktima të krimeve që pretendohet se janë kryer në vendet e përmendura në aktakuzë.
“Në vendimin e janarit, gjykatësit dolën në përfundimin se për tetë prej parashtruesve nuk kishte qenë praktikisht e mundur t’i dorëzonin kërkesat para afatit dhe se ishte në interes të drejtësisë të shqyrtohej themelësia e kërkesës së parashtruesit të nëntë. Trupi Gjykues u bind se nëntë parashtruesit ishin viktima të krimeve që pretendohet se u kryen në vendet e përmendura në Aktakuzë gjatë periudhës kohore përkatëse”, tha ai.
Po ashtu, ai njoftoi se është miratuar kërkesa e Prokurorisë që të gjitha palët në rastin e ish-krerëve të UÇK-së të kenë qasje në versionet konfidenciale të aktgjykimeve duke përfshirë edhe atë të Apelit në rastin ndaj Salih Mustafës.
Sipas Doyle, vendimi është marrë më 1 maj në të cilin trupi gjykues ka konstatuar se ekziston qëllimi juridik i lejueshëm për të kërkuar qasje në aktgjykime.
“Më 1 maj, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë që të gjitha palët në çështjen Thaçi dhe të tjerët të kenë qasje në versionet konfidenciale të Aktgjykimit dhe Aktgjykimit të Apelit në çështjen gjyqësore Salih Mustafa. Duke marrë parasysh se këto dy çështje përkojnë në masë të konsiderueshme, Trupi Gjykues konstatoi se ekziston qëllim juridik legjitim për të kërkuar qasje në këto Aktgjykime”, tha Doyle.
Zëdhënësi i DhSK-së tha se trupi gjykues ua rikujtoi palëve pjesëmarrëse se pjesët konfidenciale nuk duhet të nxjerrën për publikun.
“Bazuar në kërkesën e Prokurorisë dhe pas konsultimit me Trupin Gjykues dhe Panelin e Apelit në çështjen gjyqësore Mustafa, Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se miratimi i kërkesës nuk do të cenojë masat mbrojtëse në fuqi si dhe nuk do të përbëjë rrezik për viktimat dhe dëshmitarët. Sidoqoftë, Trupi Gjykues u rikujtoi palëve dhe pjesëmarrësve klasifikimin konfidencial të këtyre versioneve të Aktgjykimeve dhe se pjesët konfidenciale nuk duhet të nxirren për publikun”, tha ai.
Ai tregoi se gjatë kësaj javë është dëgjuar dëshmia e tre dëshmitarëve që dy prej tyre kanë qenë të mbyllur.
“Seancat në gjykimin Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit rinisën të hënën, më 29 prill me dëshminë e dëshmitarit të 58-të të thirrur nga Prokuroria. Dëshmitari i 59-të, Nuredin Abazi, filloi dëshminë të hënën dhe dëshmoi kryesisht në seancë të hapur. Sipas përmbledhjes së paraqitur nga Prokuroria, dëshmitari ishte anëtar i batalionit të UÇK-së në Budakovë dhe më vonë shërbeu si këshilltar juridik në zonën e Pashtrikut. Zotit Abazi iu bënë pyetje nga Prokuroria, ekipet e mbrojtjes dhe gjykatësit. Të martën dha dëshmi dëshmitari i 60-të i thirrur nga Prokuroria”, tha ai duke shtuar se seancat do të rinisin të hënën me 6 maj duke filluar nga ora 09:00.
Megjithatë, Doyle shtoi se Gjykatësi i Procedurës Paraprake, me kërkesë të Mbrojtjes, shtyu afatin brenda të cilit z. Bahtijari duhet të dorëzojë formularët dhe dokumentet mbështetëse për të kërkuar ndihmë juridike në DHSK.
“Afati i ri është data 3 maj. Gjykatësi e mbështeti vendimin në përparimin e bërë në plotësimin e dokumenteve përkatëse”, tha Doyle.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...