Google ADS

Ministrja e Jashtme takon ministrin e Jashtëm estonez, kërkon mbështetje për integrim

11:21 | 2 Maj 2024
R J

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna me të cilin diskutuan për sigurinë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor dhe kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe satelitët e saj siç është Serbia. Edhe në këtë takim Gërvalla kërkoi mbështetjen e Estonisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në këtë takim që u zhvillua në margjina të takimit të ministrave të BE-së me ministrat e shteteve që kanë një perspektivë të anëtarësimit në BE, pra të Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, u bisedua edhe për bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Estonisë në fushën e digjitalizimit, e-qeverisjes, shërbimeve online, shkëmbimin e eksperiencave dhe fuqizimin e marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët.

“Dy ministrat biseduan rreth situatës së sigurisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, rreziqeve që kërcënohen nga Rusia dhe satelitët e saj si Serbia si dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë:, njofton MPJD, transmeton  RTKLive.

Gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin estonez rreth progresit që Republika e Kosovës ka shënuar në shumë fusha duke përfshirë sundimin e ligjit, demokratizimin e vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, “fusha këto të cilat janë konfirmuar nga raporte të ndryshme ndërkombëtare por edhe nga raporti i Raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis”.

Më tej Gërvalla e falënderoi homologun e Tsahkna për mbështetjen e madhe që Estonia i ka dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe tani në hapin e fundit për anëtarësim  në Këshillin e Ministrave./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme