Në shënim të 25-vjetorit të masakrës në Nabërgjan të Komunës së Pejës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta, në nderim dhe kujtim të të vrarëve nga forcat armike serbe.
” Kriminelët serbë vranë shumë shqiptarë, mirëpo ata nuk arritën ta shfarosin popullin tonë, gjenocidi tyre dështoi sepse ne jemi këtu dhe ata ikën”, deklaroi kryeministri Kurti.
Në nderim të 17 të vrarëve të datës 1 të muajit maj të masakrës në Nabërgjan, kryeministri Kurti theksoi se nga data 1 deri me 18 maj janë vrarë 31 shqiptarë, duke mos kursyer që nga fëmijët e moshës 13 vjeçe deri tek të moshuarit të moshës 95 vjeçare. Këta civilë të paarmatosur e të pambrojtur, gjendeshin përballë një makinerie ushtarake policore e cila po marshonte me projektin gjenocidal të ideuar, të planifikuar në Beograd nga regjimi i Millosheviqit,për shfarosjen e popullit shqiptar tha Kryeministri.
“Ata u vranë për shkak se ishin shqiptarë dhe donin të jetojnë të lirë në tokën e tyre”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë homazheve ai vlerësoi edhe të arriturat e shtetit të Kosovës, pasi që Kosova u çlirua, u pavarësua, Kosova po zhvillohet e po përparon. “Buzëqeshja e fëmijëve sot, zhvillimi i Kosovës, përparimi i saj edhe brenda edhe në arenën ndërkombëtare, është për çdo ditë konfirmim i lirisë së Kosovës, i pavarësisë së Republikës, dhe i fitores tonë para 25 vjetëve”, është shprehur kryeministri Kurti.
Tutje, ai përmendi edhe faktin që na nevojitet drejtësia sepse për 31 të vrarët në Nabërgjan, nga 1 deri më 18 maj 1999, sot e kësaj dite jo vetëm që nuk ka asnjë të dënuar, asnjë të gjykuar, por nuk ka asnjë të akuzuar, dhe për këtë fakt, siç u shpreh kryeministri na duhet drejtësia që të jemi të qetë, të jemi në paqe dhe të mbyllen plagët.
“Për këtë padrejtësi speciale që iu bë popullit tonë, pas 25 vjetëve ju bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit, e në veçanti Prokurorisë Speciale që të akuzojë kriminelët për të cilët ka edhe dëshmi materiale, edhe dëshmitarë të gjallë, dhe dëshmi të intervistave të atyre që ishin dëshmitarë por që pas 25 vjetëve nuk janë më në mesin tonë” tha kryeministri.
Në përmbyllje teksa u shprehu ngushëllime familjarëve të të vrarëve mizorisht para 25 viteve, kryeministri tha se martirët dhe dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve të tyre, por janë të historisë tonë kombëtare, janë të popullit tonë.
Në këto homazhe kryeministri Kurti, shoqërohej nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe Gramoz Agusholli, si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të dashura familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,
Të dashur veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar ministra, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ministër I Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi,
I nderuari kryetar i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Fatmire Mulhaxha Kollaçku, dhe Gramoz Agusholli,
I nderuari zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Sa kemi dhembje e pikëllim për ata që nuk janë më në mesin tonë, po ashtu kemi edhe shumë krenari e mburrje që i patëm, që qëndruan dhe që fituan.
Këtu në Nabërgjan të Pejës, me datën 1 maj të vitit 1999-të, pra saktësisht para 25 viteve janë vrarë 17-të civilë të paarmatosur, të pambrojtur. E nga data 1 maj deri me datën 18 maj gjithsej janë vrarë 31 civilë, të të gjitha moshave, të dy gjinive, nga 13 vjeç deri në 95 vjeç. Ata u vranë për shkak se ishin shqiptarë dhe donin të jetojnë të lirë në tokën e tyre. Ndërkaq, përballë e kishin një makineri ushtarake policore e cila po marshonte me projektin gjenocidal të ideuar, të planifikuar në Beograd, nga regjimi i Millosheviqit për shfarosjen e shqiptarëve.
Kriminelët serbë vranë shumë shqiptarë, mirëpo ata nuk arritën ta shfarosin popullin tonë, gjenocidi tyre dështoi sepse ne jemi këtu dhe ata ikën. Kosova u çlirua, Kosova u pavarësua, Kosova po zhvillohet e po përparon, ndërkaq kriminelët struken në Serbi, me shpresë që atje regjimi nuk do ndërrohet asnjëherë, sepse qartazi ai po i strehon, e po i mbron ata.
Kosova me aleatët perëndimorë NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, me demokracitë e globit e fitoi luftën, mirëpo që ta fitojmë plotësisht paqen, përveç se zhvillimin e progresin na nevojitet drejtësia, na nevojitet drejtësia që të jemi të qetë, që të jemi në paqe, që të mbyllen plagët. Për 31 civilët e vrarë në Nabërgjan, nga 1 deri me 18 maj 1999, sot e kësaj dite jo vetëm që nuk ka asnjë të dënuar, jo vetëm që nuk ka asnjë të gjykuar, por nuk ka asnjë të akuzuar.
Qeveria e Republikës së Kosovës duke ngritur kapacitetin edhe të hetimit edhe kushtet e të ardhurat e prokurorëve ka krijuar të gjitha mundësitë që kriminelët qoftë në prezencë qoftë në mungesë, të akuzohen, gjykohen e dënohen. Andaj edhe njëherë, për këtë padrejtësi speciale që ju bë popullit tonë, pas 25 vjetëve iu bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit, e në veçanti Prokurorisë Speciale që të akuzojë kriminelët për të cilët ka edhe dëshmi materiale, edhe dëshmitarë të gjallë, dhe gjithashtu edhe dëshmi të intervistave të atyre që ishin dëshmitarë por që pas 25 vjetëve fatkeqësisht nuk janë më në mesin tonë. E vërteta është në anën tonë, kemi nevojë për drejtësi.
Buzëqeshja e fëmijëve sot, zhvillimi i Kosovës, përparimi i saj edhe brenda edhe në arenën ndërkombëtare, është për çdo ditë konfirmim i lirisë së Kosovës, i pavarësisë së Republikës, dhe i fitores tonë para 25 vjetëve. Meqë është data 1 maj, më lejoni të ua uroj të gjithëve ditën e punëtorëve, por meqenëse dje fizikisht u ndamë përfundimisht nga Ali Lajci, i cili pas një sëmundje të rëndë e të gjatë ndërroi jetë, më lejoni që të gjithëve, secilit e secilës të ju shprehë ngushëllimet e mija të përzemërta për bacën Ali, për këtë veprimtar të paepur i cili nuk kurseu asgjë për të mirën e popullit dhe të shtetit tonë, i cili në çdo funksion që pati, qoftë në burg a në liri, qoftë në institucionet qendrore apo këtu në Pejë, dha maksimumin për nga dija e mundësitë, dhe na i la mësimet se si duhet atdheu dhe kombi shqiptar.
Ngushëllime të gjithë familjarëve që sot nuk i keni më mesin tuaj më të dashurit tuaj që ua vranë mizorisht para 25 vjetëve. Por në të njëjtën kohë lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve tuaj të kombit tonë sepse ndoshta familjet i keni më të vogla tash, por mos harroni që i keni edhe më të mëdha. Sepse martiret dhe dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve të juaja por janë të historisë tonë kombëtare janë të popullit tonë dhe që të gjithë ne që nuk jemi në familjet tuaja, në fakt jemi anëtarë të rinj të ripërtërirë të cilëve do të na keni përherë këtu në mënyrë që e kaluara të mos na përsëritet por në të njëjtën kohë të sigurohemi që kjo arrihet nëpërmjet drejtësisë e cila as nuk falë as nuk harron./Arbresh.info
Sulmet izraelite në Gazë, shkon në 189 numri i gazetarëve të...
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Shtërpcë, policia ni...
Osmani takohet me ministren kanadeze, diskutojnë për situatë...
Jashari takohet me shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosu...
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...