Tenderi për rrugën Prishtinë – Podujevë, Prokuroria Speciale e fton për intervistë zëvendësministrin e Mjedisit

14:17 | 30 Prill 2024
E.G

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se është ftuar në Prokurori Speciale për intervistë lidhur me nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë.

Me anë të një postimi në Facebook, ai u shpreh se i duket e pakuptimtë që të ftohet zëvendësministri në intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik, edhe pas vendimit të OSHP- së që siç tha ai, i jep të drejtë si autoritet kontraktues, shkruan Arbresh.info.

“Ankesa e atij operatori ekonomik është shpallur e pabazuar edhe me vendim.”, tha ai.

Ndër të tjera, Durmishi tha se rastet të cilat ai i ka dërguar në Prokurori Speciale e Polici po zvarriten

“Sa e sa raste kam dërguar në prokurori speciale, prokurori themelore e polici të krimeve ekonomike dhe asnjë deri më tash nuk po trajtohet, përkundrazi zvarriten me vite e vite edhe pse ka fakte sa të duash për krim e korrupsion. Rasti i mirëmbajtjes së urave p.sh ku nga 500 mijë euro të planifikuara në fund kontrata përfundon në 5 milionë e 300 mijë euro. Nuk e di çfarë fakti tjetër i duhet prokurorit për të vepruar!”, u shpreh ai.

Zëvendësministri Durmishi mes të tjerash tha se do të shkojë në Prokurori Speciale për të ju treguar që është  i lumtur që është nënshkrues i kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë.

“Do të doja që edhe projektet tjera të ecnin me dinamikën e punëve që po bëhen në këtë rrugë. Do të vazhdoj që t’a kryej punën time me nder e përkushtim pavarësisht pengesave që na dalin gjatë rrugës.”, shkroi mes të tjerash ai./Arbresh.info/

Të ngjashme